E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elbasan, RENEA shpëton nga mbytja një 57-vjeçar

Burri kishte rënë në përroin e fshatit Griqan, pas vizitës te disa të afërm të tij

Një 57-vjeçar nga qyteti i Elbasanit ka mundur t’i shpëtojë mbytjes në një përrua, falë ndërhyrjes në kohë të forcave të specializuara të RENEA-s. Ngjarja ka ndodhur mesnatën e së enjtes, në fshatin Griqan të Komunës Labinot-Fushë, rreth 20 kilometra në juglindje të qytetit të Elbasanit. Sipas burimeve policore, bëhet e ditur se rreth orës 24:00 të së martës është njoftuar nga kalimtarë të rastit se një burrë kishte rënë në ujërat e përroit të rrëmbyeshëm të fshatit Griqan dhe uji e kishte shtyrë nëpër shtratin e përroit rreth 500 metra. Njëri prej personave që ka asistuar në momentin e mbytjes, Idriz Kaçuli, ka pohuar se e kishte të pamundur të jepte ndihmë dhe të bënte identifikimin e personit që ka rënë në ujërat e turbullt dhe të rrëmbyeshëm të përroit të Griqanit, ndaj kishte lajmëruar sallën operative të policisë. Ndërkohë, burimet policore sqaruan se menjëherë në vendin e ngjarjes u nisën shërbimet policore të Drejtorisë së Komisariatit të Policisë së Elbasanit, të cilët kanë tentuar të shpëtojnë Faik Laloshin 57 vjeç, por pa mundur. Terreni i vështirë i ka detyruar uniformat blu të kërkojnë ndihmën e forcave RENEA, të cilat kanë mundur ta shpëtojnë 57-vjeçarin banues në lagjen “5 Maji” të qytetit të Elbasanit. Mësohet se Laloshi kishte qenë te të afërmit e tij në lagjen e sipërme të fshatit Griqan, dhe gjatë rrugës së kthimit kishte rënë aksidentalisht në përrua. Pas marrjes së ndihmës së parë në spital, Laloshi doli jashtë rrezikut për jetën.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›