Bandat e Durrësit, dëshmitarët ankohen për presion
Dëshmitarët e bandave të Durrësit ankohen në prokurori dhe gjykatë se ndihen nën presion nga familjarët e të pandehurve nëse dëshmojnë para gjykatës. Disa persona, krahas dëshmitarit të arrestuar së fundmi, janë paraqitur para oficerëve të policisë, se familjarë dhe miq të të pandehurve i kanë bërë presion të mos dëshmojnë. Ndërsa në lidhje me ndalimin në sallën e gjyqit të Edmond çukos, Policia e Tiranës tha dje se e ka arrestuar me akuzën e dëshmisë së rreme. “Komisariati i Policisë Nr. 3 Tiranë bëri të mundur ekzekutimin e urdhrit të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë në ngarkim të shtetasit Eduard Andrea çuka, 50 vjeç, banues në Durrës”, tha policia. Sipas burimeve zyrtare, ky shtetas dyshohet se gjatë zhvillimit të disa seancave gjyqësore, është thirrur në cilësinë e dëshmitarit në procesin që zhvillohet në Gjykatën e Krimeve të Rënda ndaj bandës së Durrësit, ka bërë dëshmi të rreme para gjykatës. Policia tha se gjatë arrestimit të 50-vjeçarit u ekzekutua urdhri i prokurorisë në ngarkim të shtetasit të lartpërmendur, për veprën penale të “Dëshmisë së rreme”. Ndërkohë, Prokuroria e Tiranës tha se i ka kërkuar gjykatës masën e sigurisë “arrest me burg” për dëshmitarin, pasi përbën një precedent të rrezikshëm për zhvillimin e proceseve gjyqësore në Shqipëri. Kërkesa e akuzës është regjistruar në gjykatë dhe do të shqyrtohet nga kryegjyqtari i “Pangos”, Agim Bendo. Disa javë më parë, Gjykata e Krimeve të Rënda ka dhënë alarmin për “zhdukjen” e dëshmitarëve të bandave të Durrësit, të kryesuara nga Lul Berisha dhe Indrit Dokle. Kur është mbushur trevjetori i procesit gjyqësor kundër 17 të pandehurve, gjysma e dëshmitarëve që janë në listën e prokurorisë nuk gjenden në banesa. Togat e zeza, me kërkesë të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, kanë urdhëruar oficerët e policisë gjyqësore që të kontrollojnë në banesa dëshmitarët, por përpjekjet kanë qenë të kota, pasi shumë prej tyre kanë “emigruar”. Organi i akuzës i ka kërkuar gjykatës që të pyesë rreth 200 dëshmitarë për faktimin e akuzave ndaj të pandehurve, ndërsa nga verifikimi ka rezultuar se rreth 100 dëshmitarë ose kanë ndryshuar banesë, ose kanë emigruar jashtë shtetit, ndoshta nga frika e përballjeve me të pandehurit. Megjithatë, institucionet e drejtësisë deklarojnë se do të përdorin çdo mjet të mundshëm për të marrë dëshmitë e kërkuara, megjithëse në këtë proces gjyqësor është dhënë dëshmia më e rëndësishme. Adriatik Coli, i penduari i këtyre organizatave kriminale, ka treguar metamorfozën e krijimit të bandës, e cila më pas u nda në dy të tilla, për shkak të konflikteve të brendshme. Miqtë e dikurshëm i bënë armiq dhe urdhëruan “killer” me pagesë për të vrarë njëri-tjetrin, madje pagesat shkonin deri në qindra mijëra euro. Sipas kërkesës për gjykim, 16 të pandehurit e akuzuar si pjesëtarë të bandës së Durrësit janë drejtuar nga të arrestuarit Lulzim Berisha dhe Indrit Dokle, të “divorcuar” në vitin 2002 për t’u kthyer më pas në rivalët më të egër për njëri-tjetrin. Ndarja, sipas kërkesës për gjykim, si në të gjitha bandat erdhi për shkak të prishjes së pazareve të trafikut.
#