Korçë, vdes pas operacionit 32-vjeçarja
Policia e Korçës ka nisur hetimet për vdekjen e një 32-vjeçareje nga qyteti i Maliqit, e cila ishte operuar dhjetë ditë më parë nga apendiciti në spitalin civil të qytetit. E reja ka gjetur vdekjen mëngjesin e së premtes, ndërsa do të shkonte drejt spitalit për të hequr penjtë pas ndërhyrjes kirurgjikale.
Elena Bazelli ka pësuar një gjendje të fikëti në shtëpi, ndërsa ka qenë duke u përgatitur për të shkuar drejt spitalit. Gjatë rrugës ajo ka ndërruar jetë, pa mundur të marrë ndihmë mjekësore. Policia është njoftuar nga personeli i spitalit civil për ngjarjen dhe menjëherë ka ngritur një grup hetimor, duke u nisur edhe nga fakti se e reja pak kohë më parë kishte kryer një operacion dhe kishte probleme me plagën pas heqjes së apendicitit.
Policia ka marrë në pyetje familjarët e viktimës, ekipin kirurgjikal që ka kryer para dhjetë ditësh operacionin, si dhe mjekët që kanë trajtuar më pas 32-vjeçaren. Familjarët e Elena Bazellit kanë thënë se ajo nuk shfaqte probleme me shëndetin, por ka rënë papritur pa ndjenja ndërsa ka qenë në shtëpi dhe po përgatitej për të shkuar në spital me bashkëshortin.
Trupi i pajetë i gruas së re është dërguar në morg për t’iu nënshtruar ekspertizës mjekoligjore për përcaktimin e shkakut. Deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, shkaku që ka çuar në vdekjen e gruas së re ka mbetur mister. Familjarët thanë se ajo nuk kishte pasur më parë probleme të tjera shëndetësore.
Për zbardhjen e së vërtetës, eksperti mjekoligjor i Korçës ka kërkuar ardhjen e ekspertëve nga kryeqyteti. Ky vendim është argumentuar me ruajtjen e paanësisë në vlerësimin e konkluzionit të ekspertizës mbi shkakun e vdekjes. Por edhe pse janë kryer të gjitha veprimet në prezencë të personelit të shërbimit kirurgjikal dhe ekspertëve shkencorë, nuk ka pasur një version të qartë për shkaqet e vdekjes së 32-vjeçares, nëse ajo ka gjetur vdekjen nga pakujdesia e mjekëve në trajtimin e saj, apo nga shkaqe të tjera natyrore.
Familjarët, që fillimisht kanë pasur dyshime për faktin se Elena Bazelli ishte e operuar dhe mund të kishte gjetur vdekjen nga ndërhyrja kirurgjikale, nuk kanë ngritur pretendime ndaj bluzave të bardha. Ata kanë preferuar të mos fajësojnë mjekët e Korçës deri në daljen e konkluzionit të ekspertizës mbi autopsinë dhe shkakun e vërtetë që solli si pasojë vdekjen e saj.
Në hetimin e këtij rasti janë përfshirë edhe kartelat mjekësore, si dhe është pyetur mjekja që ka kryer operacionin dhe shefi i shërbimit të kirurgjisë. Grupi hetimor ka pohuar se është vënë re një infektim i brendshëm postoperator në plagën e 32-vjeçares, por pa saktësuar më tej shkaqet që mund ta kenë çuar në shfaqjen e tij.
Ekspertët e mjekësisë ligjore të ardhur nga Tirana nuk e kanë dhënë konkluzionin e tyre. Ata kanë marrë kampione për analiza të mëtejshme laboratorike, që do të konfirmojnë edhe shkakun e vdekjes së gruas nga Maliqi.
#