Grabiti më 1998-n, ekstradohet nga Spanja një i ri nga Elbasani
Zyra qendrore kombëtare Interpol Tirana, në orët e para të ditës së djeshme kreu ekstradimin nga Madridi i Spanjës drejt Shqipërisë, shtetasin shqiptar Mandi Baha, 29 vjeç, lindur në Xibrakë, Elbasan. I riu ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Apelit Durrës, me vendimin nr. 135, datë 06.07.1999, e ka dënuar me 6 vjet burg për kryerjen e veprës penale të “vjedhjes me armë të kryer në bashkëpunim”, parashikuar nga nenet 140-25 dhe 51, të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë. Burime zyrtare policore treguan për gazetën “Shqip”, se bazuar në të dhënat e dosjes, Mandi Baha, së bashku me disa shtetas të tjerë, më datë 21.07.1998, të maskuar dhe të armatosur, kanë grabitur pasagjerë të rastit, në vendin e quajtur “Kanali me Kama”, në të dalë të Elbasanit. Falë bashkëpunimit mes Interpol Tiranës dhe Interpol Madridit, më datën 16.02.2009 u bë i mundur arrestimi, me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë i të kërkuarit Mandi Baha. Në aeroportin “Nënë Tereza” në Rinas, i ekstraduari u është dorëzuar përfaqësuesve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, konfirmoi Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit.
#