E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqiptaro-malazezi vetëhidhet nga kati i dhjetë për Allahun

Tiranë

Ka kryer vetëvrasje në emër të Zotit. Një shqiptaro-malazez, student në Fakultetin e Shkencave Sociale, i ka dhënë fund jetës në mënyrë tragjike. Burime policore thanë për gazetën “Shqip” se Ervin Lati, nga Ulqini, 34 vjeç, ka fluturuar në emër të Allahut nga ballkoni i katit të dhjetë i banesës së marrë me qira, në Rrugën e Durrësit te pallatet e arabit. Rreth orës 15.30, banorët e pallatit kanë njoftuar policinë se një i ri kishte rënë nga ndërtesa dhe dergjej i pajetë. Uniformat blu kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë konstatuar se 34-vjeçari kishte rënë nga lartësia e madhe, pasi kishte dëmtime të rënda në pjesët e trupit dhe organet e brendshme. Ata kanë përcaktuar se përpara se të binte në sheshin para pallatit, i riu mund të kishte ndeshur me hekurat e rrethimit të hapësirës së ndërtesës. Pasi kanë marrë të dhëna se i riu jetonte me qira në katin e dhjetë të ndërtesës, ekspertët i janë drejtuar banesës së tij, ku kanë gjetur një letër. Bazuar në letrën e lënë nga 34-vjeçari, i cili thoshte se gjithçka po e kryente në emër të Allahut, policia e ka klasifikuar si vetëvrasje aktin e kryer dhe se kjo e fundit është kryer në kushtet e depresionit të rëndë psikik.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›