E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkia e Tiranës padit Ponin, kërkon 2 milionë lekë

Gjykatë

Gjykata e Tiranës ka paditur në Gjykatën e Tiranës zëvendësministrin e Brendshëm, Ferdinand Poni, për deklaratat në lidhje me adresarin e ri të kryeqytetit. çështja mban numrin 10951 dhe ka paditës Bashkinë e Tiranës. I paditur është Ferdinand Poni dhe objekti i padisë “Detyrim për përgënjeshtrim të deklaratave dhe detyrimeve për pagimin e dëmit jopasuror të shkaktuar nga cenimi i dinjitetit në shumën 2 milionë lekë”. çështja është hedhur në short dhe do të gjykohet nga gjyqtarja Elona Gjoka. Disa ditë më parë, Poni ka hedhur akuza ndaj kryebashkiakut Edi Rama, duke e cilësuar si të vonuar punën e bashkisë së kryeqytetit dhe jo profesionale, pasi më parë adresari duhet të kishte kaluar në Ministrinë e Brendshme. “Ajo që Rama u përpoq të trumbetonte si sukses dje është një punë që duhet të kishte përfunduar në janar 2009, në mars 2009, në tetor 2009, por fatkeqësisht edhe sot që flasim, informacioni nuk është i plotë dhe as në përputhje me standardet e projektit të sistemit të adresave. Materialit të bashkisë i mungojnë mbi 130 rrugë dhe mijëra ndërtesa që kanë korrelacion teknik me to”, deklaroi Poni. Ministria e Brendshme konstaton se në projektin e Bashkisë së Tiranës është shkelur edhe parimi i konfidencialitetit të të dhënave për qytetarët. “Shumica e informacioneve që kërkohen nga bashkia, numri i celularit, punësimi, arsimi, profesioni, vendi nga vjen nuk janë fare kërkesa të projektit dhe cenojnë hapur konfidencialitetin e të dhënave, duke rrezikuar vonimin dhe dështimin e procesit”, thotë Poni.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›