E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykatësi i Kushtetueses, borxhli i “Cenaj”

 

Fatos Mahmutaj

Gjykatësi i Kushtetueses shpallet borxhli i piramidës “Cenaj”, të cilës duhet t’i kthejë rreth 22 milionë lekë të vjetra. Pak ditë më parë gjykata e kryeqytetit vendosi të pranonte kërkesën e administratorëve të fajdeve, të cilët e kishin shpallur debitor Sokol Sadushin. Nga vendimi i gjykatës pohohet se Sadushi ka tërhequr shumën, rreth 22 milionë lekë të vjetra para vitit 1997 nga llogaria e “Cenaj” dhe nuk i ka kthyer ende. Në vendimin gjyqësor të shpallur në Gjykatën e Tiranës është shënuar se pala kërkuese është administratori i pavarur i shoqërisë “Cenaj” shpk në administrim, përfaqësuar në gjykim nga Daniela Riska me autorizim numër ekstra Protokolli, i datës 1 korrik 2009. Objekti i kërkesës, mbështetur në nenet 510 dhe 511 të Kodit të Procedurës Civile, ishte lëshimi i urdhrit të ekzekutimit për vendimin numër 10, datë 15 korrik 1999, të Administratorëve të Shoqërisë “Cenaj” në administrim mbi shpalljen e shtetasit Sokol Sadushi debitor për shumën 2.170.080 lekë të reja. Duke argumentuar vendimin, pasi ka administruar provat shkresore, dëgjuar pretendimet e fundit të përfaqësuesit të kërkuesit, i cili kërkoi pranimin e kërkesës dhe e shqyrtoi çështjen në tërësi, gjykata pohon se: “Nga provat e paraqitura rezulton se administratorët e përbashkët të shoqërisë “Cenaj” në administrim, me vendimin numër 10, datë 15 korrik 1999 kanë vendosur shpalljen debitor të Sokol Sadushit për shumën 2.170.080 lekë të reja. Ky vendim i administratorëve ishte bazuar në Ligjin numër 8471, datë 8 prill 1999 “Për nxjerrjen e detyrimeve debitore dhe rikthimin e vlerave pasurore në llogaritë e personave juridikë jobankarë që kanë marrë hua nga publiku i gjerë”. Konform nenit 5 të këtij ligji vendimi i administratorit është titull ekzekutiv”. Më tej gjykata argumenton se në këto kushte administratorët e “Cenaj” i janë drejtuar togave të zeza duke kërkuar lëshimin e urdhrit të ekzekutimit për vendimin e firmosur në vitin 1999. “Në analizë të së gjitha provave të shqyrtuara, gjykata arrin në përfundimin se ndodhemi përpara një titulli ekzekutiv dhe kërkesa e paraqitur për lëshimin e urdhrit të ekzekutimit të këtij titulli ekzekutiv është e drejtë dhe e bazuar në ligj e në prova e si e tillë duhet të pranohet”, argumenton gjykatësja e çështjes. Në fund të vendimit Gjykata e Tiranës ka shpallur: Pranimin e kërkesës; lëshimin e urdhrit të ekzekutimit për vendimin numër 10 datë 15 korrik 1999 të administratorëve të pavarur të ish-firmës piramidale “Cenaj” në Administrim, mbi shpalljen debitor të shtetasit Sokol Sadushi për shumën 2.170.080 lekë të reja; urdhërohet Zyra e Përmbarimit Tiranë të merret me ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi; shpenzimet gjyqësore siç janë bërë.

Sadushi debitor, vendimi

Më lart faksimilja e vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë i shpallur më 1 korrik 2009 nga gjyqtarja Fahrie Budo Stringa, sipas së cilit gjykata pranon kërkesën e palës kërkuese në këtë rast Administratori i Pavarur i Shoqërisë “Cenaj” shpk. Sipas vendimit, Sokol Sadushi shpallet debitor nda shoqërisë “Cenaj” shpk.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›