E Diel, 1 Nëntor 2026

Elbasan, dhjetëra pallate rrezikohen nga shembja, banorët ndihen të frikësuar

Tërmeti i fortë që tronditi Aquilan dhe Italinë javën e kaluar, ka vënë në alarm edhe një pjesë të banoreve të qytetit të Elbasanit, apartamentet e të cilëve rrezikojnë shembjen nga momenti në moment. Dhjetëra pallate dhe shtëpi banimi në qytetin e Elbasanit ndodhen në prag të shkatërrimit, ndërsa mjafton një lëkundje e vogël sizmike dhe pasojat mund të jenë të paparashikueshme. Banesa të tilla hasen kudo në qytet, por më në rrezik janë disa shtëpi ne lagjen "Kala" dhe disa pallate 2 dhe 3-katëshe në lagjen "Kongresi i Elbasanit".
Autoritetet vendore dhe ato të shërbimit Sizmologjik pranojnë se në një rast tërmeti, këto ndërtesa mund të shemben, duke rrezikuar katastrofë të përmasave si të Aquilas. Ndërkohë shirat e rrëmbyeshëm të këtij fillim viti në lagjen "Kongresi i Elbasanit", kanë bërë që të shembet çatia e disa pallateve të ndërtuara gjatë viteve 50-të. Një pjesë e banorëve i kanë braktisur ato, por ka edhe familje që nuk kanë ku të shkojnë për të jetuar, duke qëndruar mes rrezikut. Gjendja për mjaft ndërtesa është kritike dhe çatitë e tyre mund të shkatërrohen shumë shpejt në rast lëkundjesh të forta sizmike. Banorët kërkojnë që dikush të ndërhyjë për të parandaluar kështu fatkeqësitë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›