Ndotja në Durrës, KE ofron 40 mijë euro për pastrimin nga punishtet dhe fabrikat

Ndotja mjedisore në qarkun e Durrësit ka tërhequr vëmendjen e organizmave autoritare ndërkombëtarë, të cilët janë treguar të gatshëm të afrojnë fonde për hartimin e projekteve si dhe zbatimin e tyre. Ndërsa ka disa vite që qarku përfiton fonde në drejtim të hartimit të projekteve, ajo që vë në diskutim efektivitetin e tyre ka të bëjë me detyrimet që rrjedhin për të bllokuar ato fabrika e punishte të cilat kanë mbështetje nga politika.
362 mijë euro vetëm për projektin e menaxhimit të mbetjeve urbane në brigjet që lagen nga deti Adriatik janë afruar në një periudhë shumë të shkurtër. Shuma e mësipërme është afruar nga KE në kuadër të rritjes së ndjeshmërinë për të shmangur ndotjet që vijnë nga faktorë të ndryshëm. Për një pjesë të specialistëve ndotja industriale është shkaku kryesor që duhet të nxisë bashkëpunimin në projektin e vendeve të rajonit, për të tjerë ndotja është pasojë e mungesës e vëmendjes së duhur dhe e dëshirës nga administratat e rajoneve që lag Adriatiku. Durrësi, si pikë strategjike në kuadër të rritjes së ndjeshmërisë për të rritur sigurinë mjedisore ka përfituar plot 40 mijë euro për projektin që duhet të paraqitet për të marrë më pas edhe fondet e zbatimit. Në 10 vitet e fundit një sërë specialistët shqiptarë janë trajnuar në vende perëndimore dhe në Amerikë enkas për mjedisin. CARDS ka afruar 70 mijë euro dhe INTERREG 292 mijë euro shumë kjo që u janë afruar dhjetë vendeve në rajonin tonë. Konkretisht përfituesit e 360 mijë eurove janë Kosova, Mali i Zi, Serbia, Turqia, Maqedonia, Kroacia, Bosnja dhe Shqipëria. Por gjithnjë sipas burimeve që vinë nga qarku i Durrësit, kjo shumë nëse do të ketë efekte pozitive në afrimin e projekteve serioze, mund të rritet nga viti në vit. Specialistët mendojnë se në 5 vitet e ardhshme një shumë e konsideruar fondesh do të afrohen për rajone e zona problematike në ndotjen mjedisore të cilat kanë edhe impakt negativ në vendet fqinje. Plot 1miliard e 460 milion euro janë shpërndarë deri më tani nga KE në kuadër të kërkimit të strategjive të reja për të zbutur agresivitetin e ndotjes mjedisore. Vëzhguesit e huaj pasi kanë studiuar problematikat në qarkun e Durrësit përsa i përket ndotjes, kanë nxjerrë në pah se qarku ka së paku 15 vatra të ndotura dhe që rrezikojnë seriozisht. Specialistët e huaj sipas burimeve janë shprehur skeptikë në adresë të një përballje me të keqen në këtë qark. Shumë nga fabrikat e përfshira në hartën me risk të lartë ndotjeje janë ose pjesë e investimeve dhe fitimeve të personave të cilët kanë pasur apo edhe kanë pushtet, ose të rrjeteve që kanë krijuar monopole me lidhje të forta. Në konferencën e zhvilluar vetëm pak kohë më parë pikërisht për vatrat me ndotje të lartë është thënë se në mesin e tyre janë edhe fabrika e lëkurës në Sukth, fabrika e tullave në Maminas, fonderia e baterive dhe metaleve me ngjyrë në Shkozet, fabrika e riciklimit të kartonit, fabrika e përpunimit të plehut në Xhafzotaj, stabilimentet pulave dhe depozitat e naftës, gropat e gëlqeres në Fushë-Krujë e Krujë etj. Për shumë syresh vatra të tilla mund të shmangen nëse do të ketë vullnet për tu përballë me shifrat e ndotjes. Specialistët mendojnë se një pjesë e fabrikave kanë teknologji të prapambetur dhe kjo ka rritur jo vetëm riskun e ndotjes mjedisore, por edhe kërcënimin e popullatës nga sëmundje kancerogjene.