Kakavijë, doganierët grekë, sot në grevë 3 orëshe
Doganierët grekë të Kakavijës, paralajmërojnë grevë tre orëshe. Kjo është mësuar gjatë ditës së djeshme nga ana e Shërbimit Doganor Shqiptar, i cili është vënë në dijeni për këtë fakt nga ana e homologëve grekë. Prej orës 07:00 të ditës së sotme e deri në orën 10:00, të gjitha sportelet doganore në pjesën greke të Kakavijës, nuk do të funksionojnë duke sjellë bllokim të njëanshëm të punës në këtë nyje kufitare mes Shqipërisë dhe Greqisë.
Doganierët shqiptarë, kanë lajmëruar mjetet e rënda që të mos dynden qysh në mëngjes në Kakavijë, pasi do të krijohet radhë e madhe në momentet e organizimit të grevës. Shkurtimi i vendeve të punës në janar të vitit të ardhshëm, ka qenë shkaku i organizimit të grevës tre orëshe, e cila do të përsëritet edhe në 22 prill të këtij viti. Sipas planit të ndërmarrë nga drejtoria qendrore e doganave në Athinë, parashikohet shkurtimi i vendeve të punës nëpër dogana dhe kjo masë sipas specialistëve të ekonomisë në vendin fqinj, ndërmerret për të përballuar krizën globale që ka prekur vendet e BE. Njëkohësisht burime ende të pakonfirmuara pohojnë se pjesë e planeve të përballimit të situatës së vështirë ekonomike, janë edhe ulja e nivelit të pagesave për sektorin publik.