Durrës, bashkia lidh marrëveshje me ujësjellësin për rrugët
Për herë të parë në këta vjet bashkia e Durrësit ka vendosur të bashkëpunojë me ndërmarrjen e ujësjellës-kanalizimeve sh.a lidhur me projektet për investime. Dëmtimet në disa segmente rrugore fill pas investimit për shkak të sistemit të padisiplinuar të ujërave të zeza e të bardha apo edhe zvarritja e investimeve ka bërë që bashkia të kërkojë ndihmën e ujësjellësit. Në ditë me reshje të dendura shiu rrugët e qytetit bllokohen tërësisht pasi nuk funksionojnë kolektorët kryesorë dhe kjo ka sjellë jo pak pasoja për qytetarët e bizneset. Në të tilla kushte bashkia ka trokitur kohët e fundit tek shoqëria e ujësjellësit.
Fillimisht bashkëpunimi ka nisur në një nga investimet në Plazhin e Durrësit pranë segmentit dytësor tek Peshku i Freskët, këtu bashkia nisi të ndërhyjë pasi ujësjellës-kanalizimet përfunduan shtrimin e rrjetit të tubave për ujërat e zeza. Drejtori shoqërisë së ujësjellësit, ing. Agron Islami ka pohuar se pas viteve 90 është rasti i parë që bashkia afrohet për bashkëpunim. Sipas tij, bashkia ka vendosur që para se të finalizojë vendimin për të zbatuar një projekt në rrugë, shëtitore, lulishte apo diku tjetër do të kërkojë mendimin e ujësjellësit si dhe të elektrikut. Thuajse të gjitha rrugët që janë ndërtuar me fondet e taksapaguesve të bashkisë janë ribërë nga e para apo janë arnuar pjesë-pjesë ngase kanë dalë probleme me bllokimin e kolektorëve, apo edhe me rrjetin elektrik dhe atë të ujit të pijshëm. Rasti tipik ka qenë në rrugën nga Dyqani i Dylit drejt kompleksit të shkollave të mesme si dhe investimi në rrugën Aleksandër Goga. Këto segmente janë dëmtuar pa përfunduar madje investimi, pikërisht në një kohë që firma nuk i kishte shkuar në skajin tjetër segmentit për të përmbyllur projektin. Nuk mund të shkohej më tej dhe bashkia së fundi e ka kuptuar se fondet e taksapaguesve nuk mund të derdhen atje ku dëmtohen, ka bërë të qartë ing. Islami. Fakti se bashkia nuk ka asnjë hartë të shtrirjes së rrjetit të ujërave të zeza, të ujit të pijshëm dhe të kabullit të elektrikut e të atij telefonik ka sjellë jo pak pasoja. Bashkia ka investuar në rrugë edhe atëherë kur zona nuk ka pasur fare rrjet të kanalizimeve apo kolektor për ujërat e zeza dhe se në një situatë me reshje në sipërfaqe kanë dalë ujërat e zeza. Një grup i përbashkët me specialistë të bashkisë dhe të shoqërisë së ujësjellës-kanalizimeve në Durrës kanë vendosur të vënë pikat në I. Bashkëpunimi i parë është në rrugën Kristaq Rama që lidh segmentin tek kryqëzimi në stacionin e Plazhit drejt bankës Tirana.