E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjirokastër, grabitet kisha e Labovës

Kjo është hera e tretë që kisha bie pre e bastisjeve. Një nga grabitësit, ka lënë gjurmë gjaku në xham
Kisha e Shën Mërisë renditet e dyta në Ballkan për nga vjetërsia. Vidhen 18 ikona të shekullit XV-të
GJIROKASTËR- Kisha e dytë në Ballkan për nga vjetërsia, ajo e Shën Mërisë në fshatin Labovë e Kryqit ka rënë pre e grabitësve në orët e para të mëngjesit të djeshëm. Persona ende të paidentifikuar kanë grabitur 18 ikona, pjesë e ikonostasit që daton në shekullin e XV-të, si dhe një sasi të konsiderueshme të hollash.
Vjedhja
Vjetërsia e ikonostasit dhe vlerat e mëdha të tij kanë qenë pre e grabitësve, të cilët për të hyrë në kishë kanë përdorur një dritare të vogël në anën juglindore dhe pasi kanë hapur hekurat kanë mundur të hyjnë. Por, vendi i vogël ka bërë që njëri prej grabitësve të plagosej, pasi mësohet se në vendngjarje janë gjetur edhe gjurmë gjaku, të cilat po analizohen. 18 ikonat përbërëse të ikonostasit janë marrë dhe së bashku me to edhe një shumë prej 25 mijë lekësh të rinj, e cila ndodhej në arkën e kishës. Ngjarja është konstatuar fillimisht nga kujdestari i kishës, i cili si çdo mëngjes i është drejtuar objektit fetar, por e ka gjetur atë të hapur dhe të bastisur. Menjëherë pas kësaj, ai ka lajmëruar uniformat blu, të cilat kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë filluar kryerjen e veprimeve hetimore.
Banorët
Ndërsa për banorët e zonës, ky akt i rëndë më shumë se dëm në vlerë materiale është konsideruar si një fyerje, për këtë objekt kulti ndër më të lashtit në Europë. "Jemi thellësisht të indinjuar nga ky akt, sepse nuk është hera e parë që kisha jonë vidhet. 500 vjet me radhë askush nuk e ka prekur dhe tani duhet t'i vjedhim të gjitha? Dita e sotme në fshatin tonë ishte njësoj sikur të kishte vdekur njeri",- është shprehur Amalia, një e moshuar nga fshati Labovë e Kryqit. Po sipas banorëve, të gjitha ikonat e vjedhura kanë një vlerë shumë të madhe, pasi janë shumë të lashta gati 6- shekullore. Ndërkaq, policia është duke punuar ende për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje dhe burime konfidenciale bëjnë të ditur se po punohet në disa drejtime njëherësh.
Grabitjet
Brenda 20 viteve të fundit, kjo është vjedhja e tretë e madhe që ndodh në këtë kishë, ndërsa nuk kanë munguar edhe raste të tjera kur prej andej janë marrë vetëm lekë. Grabitja e parë ndodhi në fillimin e vitit 1990 dhe në shënjestër të vjedhësve ishte pikërisht një Kryq i rrallë prej floriri, i cili sipas disa autorëve, brenda veshjes së tij të florinjtë ruante një copë ashkël origjinale nga druri në të cilin u kryqëzua Jezu Krishti në Jeruzalem. Megjithëse për këtë ngjarje u gjykuan dhe u dënuan tre persona, asnjëherë nuk u mor vesh se ku përfundoi ai. Grabitja e dytë ka ndodhur në vitin 1998 dhe sërish 15 ikona të çmuara u morën, por pas pak ditësh ato u braktisën brenda një thesi pranë fshatit. Ndërsa nuk dihet vlera e vërtetë e ikonave të grabitura së fundmi, megjithatë dëmi nga të gjitha aspektet është i madh.
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›