Regjistrimet, fluks i lartë pranimesh të reja
Drejtoria e Qytetit Studenti bën të ditur se sivjet janë paraqitur 2800 kërkesa të viteve të para, për akomodim në bujtinat e kësaj qendre. Ndërkohë që të gjitha konviktet së bashku mund të presin deri në 6800 djem e vajza. Drejtori i ndërmarrjes, Bujar Brovina, sqaron se janë marrë të gjitha masat për sistemimin e studentëve, por problem mbeten vajzat, të cilat për shkak të numrit të madh do të qëndrojnë edhe katër veta në dhomë. Regjistrimet për sistemimin e studentëve në bujtina për këtë vit akademik do të nisin më datë 7 dhe 9 për vitet e para, ndërsa nga data 9 e në vijim do të regjistrohen vitet e dyta e sipër. Drejtoria e Qytetit Studenti ka përfunduar këtë vit rikonstruksionin e bujtinave 26-27 dhe 28-29. Ndërhyrje rehabilituese janë kryer edhe në mjediset e jashtme deri dhe te lulishtet. Sipas autoriteteve drejtuese të kësaj qendre, dritat dhe uji nuk do të mungojnë për të rinjtë, ndërkohë që synohet futja falas e internetit në çdo dhomë studenti.