E Diel, 1 Nëntor 2026

Islami, ultimatum për të fundit herë Berishës: Përgjigju për dështimin e kartave

Socialistët, debat me Ministrinë e Brendshme për listat e aplikantëve për karta
Sekretari për Çështjet Zgjedhore në Partinë Socialiste, Kastriot Islami, i bëri apel për të disatën herë qeverisë Berisha, që të japë llogari për dështimin e procesit të pajisjes së qytetarëve më kartat e identitetit. Ai gjithashtu i kërkoi ekzekutivit, që të japë përgjigje për ecurinë e kartave, përndryshe Partia Socialiste do të përcaktojë një qëndrimin përfundimtarë, nëse do të marrë pjesë në zgjedhje. Islami u shpreh se qeveria duhet të pranojë dështimin e kartave të identitetit dhe se procesi zgjedhor është në rrezik, duke shtuar se afati përfundimtar për përgjigjen e qeverisë, është data 31 maj. Në vijim të fjalës së tij, ai shprehu vendosmërinë për të respektuar zhvillimin e zgjedhjeve më 28 qershor, por nga ana tjetër nuk do të lejojë ndryshimin apo transformimin e rezultatit me lojën e kartave dhe se e drejta e votës bëhet vetëm përmes kërkesave të Kodit Zgjedhor. Situata e pajisjes se votuesve pa pasaportë, me letërnjoftim mbetet shqetësimi kryesor, që rrezikon rëndë zgjedhjet e lira e të ndershme. Procesi duket shqetësues dhe shumë pranë dështimit. Qeveria po dështon me garantimin e një prej standardeve më të rëndësishme për zgjedhje të lira e të ndershme. Në raportin e parë paraprak të OSBE/ODHIR dy janë çështjet më shqetësuese, klima politike tejet e polarizuar dhe pajisja me letërnjoftimin, theksoi Islami. Duke ndarë të njëjtin shqetësim me OSBE/ODHIR për situatën parazgjedhore, Islami sqaroi se mbështetja e Partisë Socialiste ka qenë e plotë dhe permanente për këtë proces, që nga momenti i hartimit të Kodit Zgjedhor e në vazhdim. Angazhimi i PSSH ka qenë serioz e konstruktiv. Nuk kemi bërë vetëm thirrje, por jemi angazhuar me të gjithë mjetet modeste të opozitës për të ndihmuar procesin e pajisjes me letërnjoftimin. Dhe përsëri ne do të vazhdojmë të japim mbështetjen tonë maksimale. Arsyet e këtij dështimi janë të qarta e evidente: paaftësi dhe mungesë vullneti nga ana e qeverisë dhe synim i qartë i kryeministrit Berisha për të transformuar rezultatin e zgjedhjeve, përmes lënies pa letërnjoftim të një numri të konsiderueshëm zgjedhësish, prezentë në listat e votimit. PSSH është shprehur disa herë dhe ripërsërit se kjo situatë është e papranueshme dhe në asnjë rast nuk do të lejohet zhvillimi i zgjedhjeve të manipuluara, vijoi Islami. Në emër të Partisë Socialiste, ai deklaroi se në asnjë rast nuk do të lejohet ndryshimi apo transformimi i rezultatit të zgjedhjeve përmes lojës  me letërnjoftimet, pasi PS i mbetet konseguent qëndrimit, se e drejta kushtetuese e votës duhet të realizohet vetëm përmes kërkesave të Kodit Zgjedhor. Nisur nga situata emergjente, që po rrezikon procesin zgjedhor, Islami edhe një herë i kërkoi kryeministrit Berisha dhe Ministrisë së Brendshme, listën e votuesve me pasaportë, ku dokumentet duhet të jepen me përgjegjësi zyrtare dhe me saktësi. Gjithashtu, ai u kërkon listën e votuesve pa pasaportë që kanë aplikuar, të përditësuar me të dhënat deri në datën  25 maj 2009, si dhe listën e votuesve pa pasaportë që kanë aplikuar dhe kanë marrë në dorë letërnjoftimin, të përditësuar me të dhëna deri në datën 25 maj 2009. Analiza përfundimtare e të gjithë këtij procesi dhe vlerësimet përkatëse do të bëhen mbi bazën e këtyre të dhënave. Qëndrimi i PSSH do të jetë rrjedhojë e drejtpërdrejtë e kësaj analize dhe e këtyre vlerësimeve. Duke mos dashur të vendosim asnjë kusht, por duke qenë tejet të shqetësuar për situatën e rëndë dhe duke parë indiferencën e qeverisë dhe lojën e saj për të fituar kohë PSSH bën me dije publikun se data 31 maj është afati i fundit kur ne presim një përgjigje nga ministri i Brendshëm. Nga ana tjetër, pa dashur të bëjmë asnjë presion, më duhet qetësisht tju bëj me dije se PSSH mungesën e transparencës dhe kohën në dispozicion, i konsideron argumente të fortë dhe indikatorë të rëndësishëm në përcaktimin e qëndrimit të saj të mëtejshëm, shtoi Islami. Sekretari për Çështjet Zgjedhore në Partinë Socialiste, mohoi në mënyre absolute zgjidhjen me certifikata si dokument për të votuar në zgjedhjet e 28 qershorit, duke pohuar se PS, zgjidhjen e ka dhënë kur ka miratuar Kodin Zgjedhor me konsensus të plotë.                                                                                                                             Islami: Përgjigja e Ministrisë së Brendshme, e pasaktë
Menjëherë pas deklaratave të Ministrisë së Brendshme për kartat, ka reaguar Partia Socialiste, duke e cilësuar përgjigjen e kësaj të fundit si të cunguar dhe të pasaktë. Sekretari për Çështjet Zgjedhore në PS, Kastriot Islami, u shpreh se përgjigja që ka kthyer Ministria e Brendshme nuk ka as firmën e ministrit Nishani. Më tej, Islami tha se Ministria e Brendshme nuk ka dërguar përgjigje për kërkesat e shprehura nga PS, konkretisht emrat e votuesve pa pasaportë që kanë mbetur ende pa aplikuar. Ne kemi kërkuar listën emërore të votuesve pa pasaportë që kanë aplikuar dhe jo atë të votuesve pa pasaportë, që nuk kanë aplikuar. Ripërsëris se, së pari kërkojmë listën e votuesve me pasaportë duke ritheksuar si të paargumentuar arsyetimin e datës 19 maj për mbrojtjen e të dhënave personale, nënvizoi Islami. Sipas tij, është abuziv fakti se në shkresën e dërguar thuhet se disa testime provojnë se numri prej 160-260 mijë i votuesve pa pasaportë që do të mbeten pa aplikuar nga shifra prej 730 mijë shtetas të larguar jashtë vendit si pasojë e emigracionit të paligjshëm, duke shtuar se ky është një interpretim i papranueshëm dhe arbitrar, për më tepër është edhe naiv deri qesharak sepse koinçidon plotësisht me shifrën e votuesve pa pasaportë që ne kemi parashikuar prej disa javësh ( 270-300 mijë) të cilën kjo qeveri e ka të pamundur të pajisë me letërnjoftimi.  

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›