Elbasan, gjenden dy femrat e denoncuara si të zhdukura
ELBASAN - Pas tri ditë kërkimesh, policia e Elbasanit ka arritur të gjejë dy femrat e denoncuara të zhdukura nga familjarët e tyre. Burimet zyrtare pohojnë se dje është gjetur shtetasja Sheqere Kurti, nënë e dy fëmijëve, që u denoncua e zhdukur nga bashkëshorti i saj. Sipas burimeve policore, mësohet se gruaja 25-vjeçare është parë nga efektivat e Komisariatit të Sarandës. Më pas, ajo është sjellë në Elbasan, ku është marrë në pyetje për të sqaruar rrethanat në të cilat është larguar nga shtëpia. Nuk dihet nëse gruaja donte të largohej në drejtim të Greqisë dhe as motivet që e kanë shtyrë për një veprim të tillë, por ajo që dihet saktësisht (së paku sipas policisë) është se 25-vjeçarja ka ikur me dëshirën e saj pas një konflikti që dyshohet se ka pasur me bashkëshortin ditën e Kurban Bajramit. “Gruaja ka thënë në polici se është larguar nga familja me dëshirën e saj, por ende nuk ka dhënë detaje për shkaqet”, - thonë të njëjtat burime.
Ngjarja u denoncua nga bashkëshorti i saj, Astrit Kurti, 27 vjeç, banues në lagjen “Emin Matraxhiu”, i cili deklaroi në polici se gruaja ka dalë nga shtëpia në datën 8 dhjetor në kohën e drekës, rreth orës 14.00, por nuk është kthyer më. Ndërsa 20-vjeçarja është gjetur në Elbasan, pas denoncimit që bënë familjarët në polici. Vajza ishte larguar më datë n8 dhjetor nga banesa e saj, pa lënë asnjë informacion për vendndodhjen dhe kishte ndërprerë çdo kontakt me familjarët. Sipas burimeve zyrtare të policisë lokale, vajza e zhdukur, Odeta Tabaku, lindur e banuese në lagjen “Dyli Haxhire”, është gjetur dje, por ende nuk ka dhënë një arsye pse ishte fshehur.
Brenda pak ditësh u denoncuan në Komisariatin e Elbasanit tre raste të zhdukjeve të personave. Pas gjetjes së Kurtit dhe Tabakut, policia po vazhdon kërkimet për zbulimin e vendndodhjes së biznesmenit të konfeksioneve për të cilin ende nuk ka asnjë informacion.
Moti i keq rrezikon anijen tregtare në Portin e Durrësit, probleme edhe në Vlorë
DURRËS – Moti i keq i dy ditëve të fundit ka shkaktuar probleme në dy portet më të mëdhenj të vendit, ku situata paraqitet më dramatike në Portin e Durrësit, pasi rrezikohej mbytja e një anijeje tregtare për shkak të spostimit të mallrave në njërin krah të hambarëve të saj. Burime nga porti bënë të ditur se ngarkesa e anijes turke San-E, që mbërriti në Portin e Durrësit dje në mëngjes, rreth orës 9:30, kaloi e gjitha në njërin krah të hambarëve gjatë manovrimit të zakonshëm të hyrjes në basenin portual. Sipas burimeve nga Dogana e Durrësit, anija transporton rreth 2 800 tonë melaminë për subjektin privat "Denisa". Specialistët e Kapitenerisë thanë se anija arriti të ankorohet në Kalatën Nr. 6 të portit, por vazhdon të jetë në rrezik pasi malli brenda hambarëve të saj mbetet i grumbulluar vetëm në njërin krah. Mjetet detare të portit dhe specialistët e kapitenerisë po punojnë së bashku me ekuipazhin për normalizimin e situatës. Deti i trazuar në Gjirin e Durrësit ka penguar gjatë gjithë ditës së djeshme lëvizjen normale të anijeve, ndërsa tragetet që duhet të mbërrinin nga Porti i Barit (Itali) në mëngjesin e së enjtes kanë pasur vonesa në oraret e tyre. E njëjta situatë ka qenë edhe në Portin e Vlorës. Sipas burimeve nga Kapiteneria e këtij porti, deri në mesditën e së enjtes nuk ka mbërritur asnjë nga tragetet e linjës që ishin nisur mbrëmjen e dy ditëve më parë nga Brindizi. “Forca e detit jashtë gjirit shkon deri në 9 ballë dhe kjo e ka bërë të pamundur lundrimin e trageteve me pasagjerë”, - thonë burimet portale. Nga të dhënat paraprake janë në pritje më shumë se 300 pasagjerë, ndërkohë që shumë të tjerë kanë qenë në radhë për të bërë rrugën drejt Italisë me tragetet e linjës që duhet të niseshin në orarin e drekës.
Një tjetër anije që ishte nisur në drejtim të Greqisë e ka ndërprerë rrugën në mes dhe është kthyer në Gjirin e Vlorës për t’u strehuar së bashku me mjetet e tjera lundruese.
Rikthehen protestat e banorëve për tokat e Aeroportit të Kukësit
KUKËS – Pas një periudhe heshtjeje janë rikthyer protestat e banorëve të Kukësit. Ata pretendojnë për pronësinë e tokës ku është ndërtuar aeroporti. Që në orët e para të mëngjesit të djeshëm, mbi 50 persona, të grumbulluar në aeroportin e ri, kanë bllokuar me materiale inerte aksin rrugor Kukës-Peshkopi për shkak të mosshpronësimeve të tokave nga ndërtimi i aeroportit si dhe i rrugës pranë tij. Situata e bllokimit të rrugës ka zgjatur për dy orë rresht, duke sjellë bllokimin e mbi 100 automjeteve që qarkullonin në atë kohë përgjatë rrugës që lidh Kukësin me Dibrën. Policia ka ndërhyrë duke shoqëruar tre banorë që pretendonin shpronësime për pronat e tyre. Më pas, protestuesit janë larguar, por nuk kanë munguar edhe konfliktet me forcat e rendit. Mungesa e shpronësimit të pronarëve nga ndërtimi i këtyre veprave publike nisi pas lëshimit të certifikatave të pronësisë për ta, me premtimin se do të dëmshpërbleheshin por që në realitet nuk ka ndodhur asnjë shpronësim.
12 Dhjetor 2008