Patentat dhe targat false, Prokuroria sekuestron 200 dosje
TIRANË - Mbi 20 dosje për pajisje me leje drejtimi mjetesh (patenta) dhe rreth 180 të tjera që mendohet se kanë dokumente të falsifikuara janë bllokuar nga Prokuroria e Tiranës, në kuadër të hetimeve të hapura ndaj disa punonjësve të Drejtorisë Rajonale të Transportit Rrugor, të arrestuar një ditë më parë si të dyshuar në afera korruptive.
Hetimi
Lajmi u bë i ditur dje nga burime pranë grupit hetimor, që pohuan se dokumentet e bllokuara do t’u nënshtrohen ekspertizave përkatëse në Laboratorin Qendror Kriminalistik. Po ashtu mësohet se janë sekuestruar nga prokuroria edhe dhjetëra dosje makinash, të cilat mendohet se kanë dokumente doganore të falsifikuara por që rezultojnë të regjistruara pranë organeve kompetente. Hetimet për çështjen në fjalë, të nisura muaj më parë, janë kurorëzuar të mërkurën me arrestimin gjatë operacionit policor “Targa e fundit” të 11 personave, shumë prej të cilëve punonjës pranë Drejtorisë Rajonale të Transportit Rrugor në Tiranë si dhe pronarë në autoshkollën “Majestik”. Nën hetim gjithashtu janë edhe disa të tjerë. Sipas Prokurorisë së Tiranës, këta persona, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohen se kanë kryer veprime të kundraligjshme e korruptive në procesin regjistrimit dhe targimit të automjeteve, kontrollit teknik, kontrollit fizik, dhënies së lejeve për drejtim automjeti, veprime këto të kryera kundrejt ryshfeteve në shuma të konsiderueshme parash që siguronin nga klientët.
Arrestimet
Dy ditë më parë, operacioni i Antikrimit Ekonomik dhe Task-Forcës së Prokurorisë përfundoi me prangosjen e 11 personave. Sipas policies, të arrestuarit janë: Ylli Hasani, komisioner për testimet dhe dhënien e lejeve të drejtimit (patentat); S. Memia, arkiviste në Drejtorinë Rajonale të Transportit Rrugor në Tiranë; B. Belli, sekretare në Sektorin e Regjistrimeve të Automjeteve; Daniel Cami, pranues dokumentesh te Kontrolli Teknik i Automjeteve (kolaudimet); Vladimir Dervishi, instruktor e bashkëpronar i autoshkolës “Majestik”; E. Shano bashkëpronare; F. Kateshi, punonjëse e një kompanie sigurimesh për automjetet; Adrian Rushiti; Liman Doka dhe Sh. Marashi, sekserë dhe falsifikatorë. Në pranga ka rënë edhe Pëllumb Mancilla, oficer i Patrullës së Përgjithshme pranë Komisariatit Nr. 4 të Policisë së Tiranës. Po sipas Policisë së Shtetit, akuzat e formuluara ndaj tyre janë për korrupsion aktiv e pasiv të personave që kryejnë shërbime publike dhe në sektorin privat. Ata akuzohen se kanë falsifikuar dokumente si dhe për ushtrim të ndikimit të paligjshëm. Efektivët e policisë kishin disa muaj që po hetonin personat e vënë dje në pranga. Kishin lindur dyshime se personat e mësipërm abuzonin me detyrën dhe pajisnin me patenta persona që nuk plotësonin kriteret. Pajisja me patenta bëhej kundrejt shumash të mëdha parash. Nga zyrat e Drejtorisë së Shërbimit dhe Transportit Rrugor, kontrollet e policisë janë shpërngulur në banesat e personave të prangosur.
12 Dhjetor 2008