E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elbasan, gjendet trupi pa jetë i një 60-vjeçari

Kufoma ende e paidentifikuar. Policia: Nuk ka shenja dhunë, por pritet ekspertiza nga Tirana
ELBASAN-Kalimtarë të rastit kanë zbuluar trupin pa jetë të një mashkulli rreth 60-vjeç në lagjen "28 Nëntori", në afërsi të shinave të trenit përgjatë linjës hekurudhore. Menjëherë për ngjarjen është lajmëruar policia dhe një grup ekspertësh ka mbërritur në vendin ku ishte gjetur kufoma. Trupi ende i paidentifikuar mendohet të ketë qëndruar në mes rrugës së Mëhallës dhe linjës hekurudhore të paktën prej 10 orësh. Vendi i pabanuar ka bërë që vetëm gjatë orëve të para të mbrëmjes të zbulohet edhe kufoma nga dy banorë të lagjes. Gjithsesi ekspertët e mbërritur në vendin e ngjarjes kanë kërkuar që ekzaminimi e trupit të bëhet nëpërmjet laboratorit të ekspertizës mjeko-ligjore në Tiranë. Burime nga komisariati i Elbasanit bëjnë të ditur se kufoma është e një burri rreth të gjashtëdhjetave pa shenja të dukshme dhune në trup apo mbytjeje. Ende të dhënat nuk kanë dërguar në identifikimin e tij. Në komisariatin e Elbasanit nuk ka mbërritur ndonjë denoncim për zhdukje personash gjë që bën të mendohet për një endacak që ka gjetur vdekjen për shkaqe natyrale. Gjithsesi paralelisht me identifikimin e trupit do të bëhet edhe ekspertiza për të vërtetuar shkaqet e vdekjes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›