Shkodër, pret damarët nëna e dy fëmijëve
Gruaja 22-vjeçare ndodhet në gjendje të rëndë. Familjarët: Nuk dimë përse e ka bërë këtë
Shkodër-Një 22-vjeçare, nënë e dy fëmijëve, ka tentuar t'i japë fund jetës pasditen e djeshme. Ka qenë ora 17.10, kur E. Murati, banuese në lagjen "Tepe", në qytetin e Shkodrës ka prerë damarët e dy duarve të saj me mjete prerëse. Nëna e dy djemve të mitur ka qenë brenda në banesën e saj dhe sipas policisë e ka kryer këtë veprim në një prej ambienteve të shtëpisë. Sipas të dhënave nga hetimet, gruaja ka përfituar nga rasti për të kryer aktin vetëvrasës në momentin kur në atë pjesë të shtëpisë nuk ka pasur njeri tjetër. Ndërkohë që pjesëtarët e tjerë të shtëpisë kanë qenë të zënë me punë dhe askush nuk e ka pasur mendjen tek ajo. Ka kaluar disa kohë, kur familjarët janë shqetësuar nga mungesa e nuses së shtëpisë dhe e kanë thërritur. Por gjatë kontrollit nëpër shtëpi e kanë gjetur të përgjakur. Ajo është dërguar në spitalin rajonal të Shkodrës nga të afërmit, ku vazhdon të jetë në gjendje të rëndë. Sipas policisë , akoma është mister motivi që e ka çuar 22-vjeçaren në marrjen e një vendimi të tillë. Sipas deklarimeve paraprake që u janë marrë familjarëve, mësohet se e dëmtuara nuk ka pasur ndonjë shenjë shqetësuese apo ndonjë sëmundje përpara kësaj ngjarjeje.