E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elbasan, goditet nga kushëriri me kosën e barit, në gjendje të rëndë i riu

Dy kushërinj janë grindur me njëri-tjetrin, ndërsa njëri e ka zgjidhur konfliktin duke përdorur kosën e barit. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 16:30 minuta të pasdites së djeshme në fshatin Xibrakë të komunës së Shalësit, rreth 30 kilometra larg qytetit të Elbasanit. Sipas burimeve zyrtare të policisë, ka filluar procedimi penal në ngarkim të 47 vjeçarit Shaban Baha, banues në fshatin Xibrakë të komunës së Shalësit në rrethin e Elbasanit. Të njëjtat burime saktësojnë se procedimi ndaj tij filloi pasi, gjatë një konflikti për motive të dobëta dhe në gjendje të dehur, ky shtetas ka goditur me kosore në pjesët e sipërme të këmbëve 21 vjeçarin Tauland Baha, banues po në fshatin Xibrakë dhe që është kushëri, me të. I dëmtuari u dërgua në spitalin kirurgjik Elbasan, ku sipas mjekëve, gjendja e tij paraqitet e rëndë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›