Elbasan, grabitet dega e Albpostës në Mollas
Sipas policisë, denoncimi u bë mëngjesin e djeshëm, kurse vjedhja gjatë natës, kur nuk kishte drita
Nga arka zhduken 60 milionë lekë nga fondi i pensioneve e pagave. Shoqërohet arkëtarja dhe 3 punonjës
ELBASAN-Grabitet gjatë natës dega e Albpostës në Mollas të Elbasanit. Grabitje, që nga ekspertët e policisë është vlerësuar si një ndër më të bujshmet e vitit. Nga arka, janë zhdukur rreth 60 milionë lekë të vjetra të fondit të pensioneve dhe pagave të punonjësve. Ngjarja është regjistruar në orët e vona të së martës, kur është simuluar një grabitje me thyerjen e derës së jashtme dhe vjedhjen e arkës. Policia ka shoqëruar mëngjesin e djeshëm arkëtaren dhe tre punonjës, të dyshuar si pjesë e grabitjes, ndërkohë që hetimet vazhdojnë për përcaktimin zyrtar të autorëve.
Grabitja
Sasia e parave të zhdukura ka vënë në lëvizje të gjithë efektivat e policisë, ndërkohë që në Elbasan ka mbërritur një ekip nga Krimet e Rënda. Burimet zyrtare të policisë lokale kanë bërë dje me dije se janë shoqëruar katër persona, të cilët mendohet të kenë lidhje me grabitjen. Nuk ekzistojnë shumë dëshmi për autorët e kësaj grabitjeje, pasi ka qenë natë dhe nuk ka pasur energji elektrike në momentin që ka ndodhur. E pyetur lidhur me këtë ngjarje, ku mendohet të jenë përfshirë punonjësit e Albpostës, vetë drejtoresha e postës, Brunilda Dulja, nuk pranoi të komentonte asgjë përpara se policia të zbardhë të vërtetën e kësaj vjedhjeje të bujshme.
Policia
Njoftimi për policinë është bërë mëngjesin e djeshëm, kur punonjësit kanë gjetur derën e hapur dhe arkën që mungonte. Sasia e munguar kap shifrën e 60 milionë lekëve të vjetra, të cilat ishin pjesë e fondit të pensioneve, pagave dhe shpenzimeve. Banorët afër filialit të postës thonë se nuk kanë arritur të dëgjojnë asnjë zhurmë gjatë natës, pasi në kohën kur mendohet të jetë vjedhur posta, në fshat fiken dritat. Sipas burimeve të policisë, vjedhja është regjistruar afër mesnatës, por ajo që ka hedhur më shumë dyshime edhe tek vetë punonjësit ka qenë forma sesi është hapur dera dhe shumë detaje të tjera, të cilat bëjnë pjesë në hetim.
Të shoqëruarit
Paraprakisht bëhet e ditur se janë shoqëruar në polici katër të dyshuar si arkëtarja, shoferi i Albpostës, kujdestari i godinës, një punonjës dhe një ish-punonjës, i cili ka pasur edhe një kopje të çelësave. Gjithsesi ende nuk është vlerësuar masa e ndalimit për personat, por sipas policisë personat e ndaluar dyshohet të kenë lidhje me grabitjen e parave. Mësohet se në Elbasan kanë mbërritur edhe specialistë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për të zbardhuar autorët. Gjithashtu mësohet se kanë mbërritur edhe drejtues të Drejtorisë së Përgjithshme të Postës Shqiptare për të marrë masa dhe për të verifikuar atë që ka ndodhur realisht në Mollas dhe sa janë të përfshirë punonjësit në këtë vjedhje.