Konflikti për pronën, goditet kryetari i bashkisë
Policia arreston Agim Kokonozin. Dhunuesi: Dha leje për ndërtim në pronën time
PERRENJAS-Kryetari i bashkisë së Përrenjasit është përballur me grushtet e goditjet e një qytetari, ndërsa ishte duke lëvizur në dalje të qytetit. Ngjarja ka ndodhur dy ditë më pare, kur Agim Kokonozi, 37-vjeç, me banim në Përrenjas Fshat është konfrontuar me fjalë dhe më pas e ka goditur me grushte kryetarin e bashkisë, duke i shkaktuar atij plagë të lehta. Ky i fundit ka mbërritur në komisariatin e policisë, Librazhd, ku edhe ka bërë denoncimin ndaj 37-vjeçarit. Burime nga policia bëjnë të ditur se është arrestuar në flagrancë shtetasi Agim Kokonozi, nën akuzën "goditje për shkak të detyrës" ndaj kryetarit të Bashkisë Artur Topi. Shkak për këtë ngjarje sipas burimeve ende të pakonfirmuara dyshohet se është një pronë e vjetër, që autori i goditjes pretendonte në qendër të qytetit të Përrenjasit. Kokonozi deklaronte se kishte pronësinë e një trualli dhe këshillat e rregullimit të territorit përpara zgjedhjes së Topit kryetar i kishin dhënë të drejtë dhe nuk kishin dhënë leje ndërtimi. Por së fundi, në bazë të pretendimeve të Kokonozit, kryetari aktual i bashkisë ka bërë të mundur që të kalojë në KRRT dhe të miratohet me fshehtësi një leje ndërtimi, e cila më pas mësohet se ka mbërritur në prefekturë për konfirmim. Gjithsesi ky mbetet vetëm versioni i autorit të goditjes së kryetarit të bashkisë. Artur Topi nuk ka dashur të japë asnjë koment lidhur me këtë ngjarje të regjistruar në afërsi të një lavazhi në Përrenjas.