E Shtunë, 31 Tetor 2026

Miratohet projektligji i ri për mbrojtjen e dëshmitarëve

Në projektin e miratuar dje nga qeveria parashikohet ndërrimi i identiteteve të bashkëpunëtorëve masat e tjera për mbrojtjen


Do merren në mbrojtje denoncuesit e korrupsionit dhe ata që bashkëpunojnë për krime që dënohen me më tepër se 4 vite


TIRANE- Këshilli i Ministrave ka miratuar dje vendimin për propozimin e projektligjit të "Mbrojtjes së dëshmitarëve dhe Bashkëpunëtorëve të Drejtësisë", gjatë mbledhjes së djeshme.


Shtohen veprat penale nga të cilat mund të përfitojnë të penduarit dhe bashkëpunëtorët e drejtësisë, ndërsa minimumi i dënimit të parashikuar për një vepër penale nga e cila mund të përfitohet mbrojtje apo përfshirje në program është ulur në katër vite.


Ndërkaq, në programin e Mbrojtjes së dëshmitarëvë projektligji i ri, parashikon marrjen në mbrojtje të bashkëpunëtorëve të drejtësisë në denoncimin e krimit të korrupsionit.


Projektligji i miratuar dje nga qeveria pritet të zëvendësojë projekt ligjin aktual mbi bazën e të cilit funksionon edhe programi i Mbrojtjes së Dëshmitarëve në Policinë e Shtetit, ndërsa ai u publikua dje në faqen zyrtare të Këshillit të Ministrave. Kreu i kësaj drejtorie, Drejtues i Parë, Astrit Kodra, përshëndeti dje miratimin nga ana e qeverisë së këtij projektligji, duke e cilësuar atë si hap përpara dhe ndihmë për Policinë dhe Drejtësinë në luftën ndaj krimit.


Sipas tij, në këtë projekt ligj të punuar nga specialistët e Policisë dhe të Prokurorisë, është shtuar spektri i veprave penale për të cilat qytetarët apo bashkëpunëtorët e drejtësisë mund të merren në mbrojtje nga ana e drejtorisë përkatëse. Projektligji i propozuar sipas Kodrës, ka disa ndryshime thelbësore në tërësinë e funksionimit të tij nga ligji aktual.


Kjo sipas tij, vihet re në gamën e veprave penale si dhe në kompetencat që aktualisht ka kjo strukturë brenda Policisë së Shtetit. "Miratimi i tij, është një hap përpara dhe do të na ndihmojë më tepër në kryerjen sa më mirë të punës tonë,- tha Kodra.


Në këtë projektligj, janë parashikuar, ashtu si më parë, edhe veprime të tilla si ndryshimi i identitetit të personave të marrë në mbrojtje dhe të përfshirë në program, mbajtja e tyre e fshehur, si dhe ndërrimi i identiteteve të punonjësve të policisë në projekt.


Ndërsa është parashikuar edhe mbrojtja e të afërmëve të personit që ka marrë statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë. "Në varësi të rrethanave konkrete, bashkë me dëshmitarin ose bashkëpunëtorin e drejtësisë mund të përfshihen në programin e mbrojtjes edhe personat e lidhur me to.


Edhe në këtë rast, zbatohen rregullat, që parashikohen në pikat 1 e 2, të këtij neni",- thuhet në projekt.


Në të gjithë rastet, kur personi vendos të merret në mbrojtje duhet të nënshkruajë më parë një marrëveshje, ndërsa në asnjë rast të dhëna mbi programin nuk do të duhet të publikohen prej tij, në të kundërt, ai do të ketë përgjegjësi ligjore.


Të gjitha të dhënat e programit ligji i cilëson si informacione të klasifikuara të cilat nuk mund të bëhen të ditura.

Të drejtën për të propozuar pranimin e një ose të disa personave në programin e mbrojtjes e ka prokurori i Përgjithshëm.

2. Propozimi i prokurorit të Përgjithshëm për pranimin e një ose të disa personave në programin e mbrojtjes përmban, domosdoshmërisht, të dhënat e mëposhtme:

a) Të dhëna personale të personit, që propozohet të mbrohet;
b) Shpjegime për rëndësinë e deklarimeve të bëra apo që mund të sigurohen nga dëshmitari ose bashkëpunëtori i drejtësisë, si dhe arsyet përse dhënia e lirë e dëshmive nuk mund të sigurohet në mënyrë tjetër;
c) Rrethanat në të cilat ose për shkak të të cilave dëshmitari a bashkëpunëtori i drejtësisë ka marrë dijeni për të dhënat dhe deklarimet, që ka bërë ose që mund të sigurohen prej tij;
ç) Të dhëna dhe shpjegime të tjera, që shërbejnë për të motivuar e mbështetur vlerësimin për gjendjen e rrezikut, ku ndodhet apo parashikohet të ndodhet personi, që propozohet të mbrohet;
d) Informacione për gjendjen financiare të dëshmitarit;
dh) Informacione të tjera, sipas vlerësimit të prokurorit.

Drejtoria vendos për personat e mbrojtur zbatimin e një ose të disa prej masave të posaçme të mbrojtjes, si:

a) ndryshimi i identitetit;
b) ndryshimi i vendbanimit;
c) dhënia e dokumenteve të rreme;
ç) mbrojtja e përkohshme e identitetit, e të dhënave dhe dokumenteve;
d) dhënia e dëshmisë me një identitet tjetër dhe administrimi me mjete të veçanta, për deformimin e zërit a të pamjes së tij, dhe forma të tjera, të caktuara sipas ligjit;
dh) mbrojtja, fizike dhe teknike, në vendin ku qëndron personi, si dhe gjatë lëvizjeve të tij, përfshirë edhe ato për përmbushjen e detyrimeve ndaj organeve të drejtësisë.
2. Drejtoria mund të vendosë që, përveç masave të posaçme të mbrojtjes, të zbatojë për personat e mbrojtur edhe një ose disa prej masave të mëposhtme ndihmëse:


Procesi
Mbërrin në gjykatën e Tiranës "Gërdeci"

TIRANË- Kryesekretarisë së Gjykatës së Lartë iu deshën 20 ditë kohë për të fotokopjuar dosjen penale me 83 fashikuj të përbërë nga 32 mijë faqe"A4" në ngarkim të 28 të pandehurve të tragjedisë së Gërdecit, të akuzuar si përgjegjës të shpërthimit të 15 marsit 2008, ku gjetën vdekjen 26 persona dhe mbi 300 të tjerë u gjymtuan.


Ky lajm konfirmohet nga burimet zyrtare pranë Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës së Shkallës së Parë në kryeqytet, ku pritet që gjatë ditës së sotme dosja të kalojë në short elektronik për të caktuar treshen gjykuese të seksionit penal që do të gjykojnë çështjen e ndarë tashmë në tre pjesë.


Me vendim të Kolegjit Penal të datës 22 maj, Gjykata vendosi që vetëm i pandehuri Fatmir Mediu të ngelet për gjykim pranë kësaj gjykate për shkak të pozicionit të tij si deputet. Ndërkaq, 28 të pandehurit e tjerë të kësaj dosjeje bashkë me firmën "Albademil" si person juridik do të gjykohen pranë Gjykatës së Shkallës së Parë.


Ndërsa, paditë civile që janë bërë tashmë nga Avokatura e Shtetit, 21 familjarët e viktimave të shpërthimit dhe të plagosurit e kësaj tragjedie do të gjykohen nga një treshe tjetër gjykuese të gjyqtarëve të seksionit civil.


Pritet që drejtuesit e Gjykatës së Shkallës së Parë në kryeqytet, të kërkojnë hua një sallë të madhe të gjyqit, për shkak se ndërtesa ku është vendosur seksioni penal i kësaj gjykate nuk ka një sallë të madhe që i përmbush kriteret për të zhvilluar një proces gjyqësor transparent.


Të 28 të pandehurit e kësaj dosjeje do të gjykohen për vepra të ndryshme penale nga ajo e "vrasjes në rrethana cilësuese" e deri te "shpërdorimi i detyrës" nga të pandehurit ish-funksionarë të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura dhe Ministrisë së Mbrojtjes dhe kompanisë "Albademil" që kryente demontimin e municioneve në mungesë të kushteve minimale të sigurisë në punë.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›