E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vëllai i Xhindit: Ishte vrasje mafioze

Kandidatët socialistë për qarkun e Fierit zhvillojnë homazhe me rastin e 40 ditëve të vrasjes së deputetit Fatmir Xhindi


FIER- Kandidatët socialistë të qarkut të Fierit kanë zhvilluar dje një vizitë në shtëpinë e deputetit të vrarë, Fatmir Xhindi, me rastin e 40 ditëve të vdekjes. Ata kanë shkuar në Roskovec ku Ruçi ka pohuar, "Paaftësia e shtetit për të nxjerrë të vërtetën, e cila megjithëse kaluan 40 dite ende enigma e madhe mbetet në errësirë të plotë, në dorë të paaftësisë. Ne jemi këtu për të treguar një solidaritet njerëzor, shpirtëror pasi miku ynë, vëllai ynë, shoku ynë, humbi jetën në mënyrë tragjike.


Do ta përballojmë bashkërisht. Të gjithë bashkë do të veprojmë siç e meritonte ai". Ndërkohë që xhaxhai i deputetit të vrarë është shprehur se - "nuk na vjen mirë nga ajo që ndodhi dhe nga vonesa e gjetjes së autorit. Ishin të gjitha mundësitë që ta kishin zbardhur në kohë këtë ngjarje. Ato veprime që janë bërë ditët e fundit duhet të ishin bërë me kohë dhe ne nuk do të kishin një brengë të tillë. Kjo është një vrasje që më parë nga ne pleqtë cilësohej si vrasje burracakësh.


Kjo është një vrasje mafioze. Ky është mendimi im, pasi ai që ka një qëllim të caktuar të vjen përballë e nuk të vret nga pas. Nuk është vrarë vetëm Fatmir ynë, ata kanë shtyrë për të vrarë të gjithë shtëpinë. Ne si familjarë gjykojmë, brenda mundësive, nga të gjithë ata që do të kontribuojnë duhet që kjo çështje të zbardhet me qëllim që të qetësohen njerëzit". Kandidatët socialistë kanë udhëtuar më pas për në Kurjan ku kanë vendosur lule në banesën e tij të fundit. Djali i Fatmirit, Andueli, ka shprehur mirënjohje dhe falënderim për të gjithë banorët e zonës dhe për të gjithë ata që kanë votuar të atin.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›