Djali i aktorit, arrestohet duke vjedhur makinën diplomatike
TIRANË - Djali i aktorit të njohur të Teatrit, Medi Malka, është arrestuar nga Policia e kryeqytetit në tentativë për të vjedhur një autoveturë të Ambasadës Hungareze në Tiranë.
Iliad Malka, 28 vjeç, lindur në Tepelenë dhe banues në Tiranë, është arrestuar në kryqëzimin e Bulevardit "Dëshmorët e Kombit", në rrugën "Abdyl Frashëri", pasi po tentonte të vidhte një automjet tip "Benz", në pronësi të një përfaqësie diplomatike e akredituar në vendin tonë.
Arrestimi i djalit të aktorit Malka, u krye gjatë orëve të mbrëmjes së të mërkurës, sapo kishte nisur të zbatonte planin e tij për të vjedhur makinën e përfaqësisë diplomatike.
Tentativa e 28 -vjeçarit ka rezultuar e pasuksesshme, pasi ky i fundit është arrestuar nga efektivat e Komisariatit Nr. 2 pas informacioneve që kanë marrë uniformat blu për tentativën e 28- vjeçarit për të vjedhur makinën. Falë informacioneve që ka marrë Policia, është bërë e mundur që shmanget vjedhja e makinës.
Edhe pse makina me targa diplomatike ka qenë e parkuar në një zonë tepër të dukshme dhe e mbushur me kalimtarë të rastit, nuk ka qenë aspak problem për 28- vjeçarin Malka për të tentuar të vjedhë makinën tip "Benz". Sipas burimeve zyrtare të Policisë së kryeqytetit, i arrestuari Iliad Malka ka qenë person me precedentë të mëparshëm penale, pasi është dënuar po për vjedhje. Materialet hetimore për ngjarjen do t'i kalojnë Prokurorisë së Tiranës për veprën penale të vjedhjes e mbetur në tentativë.
E përplas makina, humb jetën 50- vjeçarja nga Tirana
TIRANË - Një grua rreth moshës 50 vjeç ka humbur jetën, pasi u godit nga një makinë që po lëvizste me shpejtësi të madhe. Fatime Xhepa, lindur dhe banuese në Tiranë, po lëvizte në këmbë, në momentet që është përplasur nga një makinë, në Vaqarr të Tiranës, ndërkohë që Policia ka shpallur në kërkim autorin e aksidentit.
Sipas burimeve zyrtare të Policisë së Tiranës, 50 -vjeçarja menjëherë pas aksidentimit është dërguar në Spitalin Ushtarak, por nuk ka mundur të jetojë për shkak të dëmtimëve të shumta që ka marrë në trup.
Drejtuesi i makinës që i shkatoi vdekjen 50- vjeçares është larguar nga vendi i ngjarjes, duke mos ndaluar për t'i dhënë ndihmën e shpejtë të aksidentuarës dhe është shpallur në kërkim nga Policia e kryeqytetit. Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur specialistë të hetimit të aksidenteve rrugore të cilët kanë kryer veprimet hetimore për ngjarjen. Autori i aksidentit me pasojë vdekjen e një personi nuk është identifikuar akoma nga Policia dhe po punohet për identifikimin dhe kapjen e tij.