E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kërcënohet kryegjyqtari i "bandës" së Durrësit

Kyesuesi Gurali Brahimllari dhe pjesëtarë të familjes së tij kanë marrë kërcënime serioze për shkak të procesit


Policia e merr në mbrojtje familjen e gjyqtarit të Krimeve të Rënda. Prokuroria nis menjëherë hetimin për ngjarjen


TIRANË- Drejtoria e Mbrojtjes së Dëshmitarëve dhe Bashkëpunëtorëve të Drejtësisë, merr nën ruajtje kryesuesin e pesëshesh gjykuese të dosjes së "bandës" së Durrësit gjyqtarin Gurali Brahimllari dhe familjen e tij.


Shkak për këtë shtim të forcave të sigurisë fizike ndaj tij dhe pjesëtarëve të ngushtë të familjes, është bërë kërcënimi i djalit të gjyqtarit Brahimllari nga persona ende të paidentifikuar dhe shoqërimi i dy të rinjve në polici, emrat e të cilëve nuk bëhen të ditur, pasi janë parë dhe ndaluar para Gjykatës së Krimeve të Rënda ku po silleshin për disa orë rresht para saj.


Lëvizje kjo, që ka rënë në sy të punonjësve të Gjykatës të cilët kanë lajmëruar policinë e cila ka ndërhyrë duke i shoqëruar në Komisariat për verifikim, ku pa marrjes në pyetje janë lënë të lirë.


Ky fakt bëhet i ditur nga burimet zyrtare pranë Ministrisë së Brendshme, të cilët konfirmuan se Zyra për Mbrojtjen e Dëshmitarëve dhe Bashkëpunëtorëve të Drejtësisë e ka vlerësuar të rrugës të vendosë ruajtjen fizike të gjyqtarit Brahimllari dhe pjesëtarëve të ngushtë të familjes së tij.


Por vetë gjyqtari i kontaktuar nga "Shekulli" e ka hedhur poshtë në mënyrë kategorike se në adresë të tij apo pjesëtarëve të familjes ka ardhur ndonjë kërcënim, duke e cilësuar këtë informacion si një sajesë e radhës.


"Unë vazhdoj të punoi i qetë dhe të ushtroj detyrën time si gjyqtar pranë Gjykatës së Krimeve të Rënda pa më të voglin shqetësim, pasi ndaj meje dhe pjesëtarëve të familjes time nuk ka ardhur ndonjë presion apo kërcënim për shkak të punës që bëj. Ju siguroi që të gjitha këto pretendime, janë një sajesë e personave të caktuar që nuk e di si mund t'i përkufizoj",-tha gjyqtari Brahimllari, duke këmbëngulur për pavërtetësinë e këtyre fakteve.


Ndërkohë, sipas burimeve pranë Ministrisë së Brendshme, konfirmohet fakti se gjyqtari Gurali Brahimllari dhe pjesëtarët e ngushtë të familjes së tij janë marrë nën vëzhgim dhe ruajtje fizike, siç e parashikon ligji për gjyqtarët e Gjykatës së Krimeve të Rënda për shkak të detyrës së tyre të vështirë.


Sipas tyre, shkak për vendosjen e forcave të sigurisë në ruajtje të gjyqtarit Gurali Brahimllari dhe familjes së tij, kanë qenë debatet e dy javëve më parë gjatë seancës gjyqësore ndaj 16 të pandehurve të "bandës" së Durrësit, ku në adresë të togave të zeza janë lëshuar një lumë presionesh e kërcënimesh nga të pandehurit për mënyrën e menaxhimit të këtij procesi gjyqësor.


Proces ky që, edhe pas 75 seancave gjyqësore, ku prokurorët dhe gjyqtarët janë paraqitur në sallën e gjyqit për të vazhduar procesin gjyqësor, togat e zeza janë detyruar të shtyjnë për shkak të mungesave të njëpasnjëshme të avokatëve dhe disa të pandehurve të këtij procesi.


"Tensionet dhe debatet e dy javëve më parë në sallën e gjyqit, kur disa nga të pandehurit e kësaj "bande" kanë drejtuar në adrese të gjyqtarit Gurali Brahimllari një sërë kërcënimesh për mos vazhdimin e procesit gjyqësor, këto lloj kërcënimesh kanë vazhduar edhe jashtë dyerve të Gjykatës, ku persona ende të paidentifikuar kanë kërcënuar verbalisht djalin e kryesuesit të togave të zeza.


Sipas burimeve nga Ministria e Brendshme, konfirmohet se "dy persona të moshës së re, emrat e të cilëve ende nuk janë bërë të ditur, kanë pritur dhe takuar në afërsi të shkollës ku djali i gjyqtarit Brahimllari mëson, duke i "kërkuar" që babai i tij të "gjykojë drejt gjyqin e Durrësit, se ndryshe jemi në dijeni të të gjitha lëvizjeve tuaja",-mësohet se i kanë thënë djalit të gjyqtarit personat ende të pa identifikuar",-thuhet nga burimet e rezervuara pranë Ministrisë së Brendshme.

Procesi
Mungojnë avokatët shtyhet seanca


TIRANË- Edhe seanca e djeshme gjyqësore ndaj 16 të pandehurve të "bandës" së Durrësit u shty nga Gjykata e Krimeve të Rënda për shkak të mungesës së avokatëve mbrojtës të disa të pandehurve.


Togat e zeza të kësaj gjykate, prej dy javësh kanë vendosur që seancat gjyqësore të zhvillohen me dyer të mbyllura, duke mos lënë shkak që media të pasqyrojë drejt këtë proces që për 75 seanca gjyqësore vazhdon të mos zhvillohet. Shkak për këtë mos zhvillim janë bërë disa të pandehur dhe avokatët e tyre mbrojtës, të cilët vazhdojnë të mos paraqiten në sallën e gjyqit me lloj-lloj arsyetimesh.


Kështu, edhe gjatë ditës së djeshme, mësohet se kryesuesi i togave të zeza gjyqtari Gurali Brahimllari, ka vendosur zëvendësimin e avokatëve që mungonin, duke caktuar kryesisht nga gjykata duke besuar se gjyqi do të vazhdojë javën tjetër normalisht me pyetjen e të pandehurit që ka marrë statusin e të penduarit, Adriatik Coli.


Ai nuk ngurroi dy javë më parë, i lodhur nga zvarritja të drejtojë fjalë kërcënuese edhe ndaj avokatëve të ish-shokëve të tij të "bandës", me fjalët "vazhdoni zvarrisni gjyqin se do të hani edhe ju ndonjë plumb"-ka thënë Coli.


Ky pretendim për kërcënim është ngritur në seancën gjyqësore nga avokati Ferdinand Ndoja, i cili ka kërkuar nga gjykata siguri për shkak se janë të pa mbrojtur nga kërcënimet e të penduarit. Të pandehurit e kësaj "bande" akuzohen për një sërë veprash të rënda penale, të ndodhura nga vitit 1997 deri më 2005 në qytetin bregdetar të Durrësit.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›