E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elbasan, hap siparin festivali "Përtej Kufijve"

ELBASAN- Edicioni i 13-të i Festivalit Ndërkombëtar Teatror "Përtej Kufijve", u çel mbrëmjen e djeshme në qytetin e Elbasanit, ku ndryshe nga edicionet e tjera do të organizohet në skena të ndryshme të improvizuara, për shkak të djegies së teatrit “Skampa”.

Në festival marrin pjesë 9 trupa, 6 të huaja dhe 3 shqiptare. Në programin e festivalit janë parashikuar një trupë polake, nga Sardenja, Maqedonia, SHBA, ndërsa nga trupat shqiptare teatri "Bylis" i Fierit, Teatri Kombëtar dhe ai "Migjeni", i Shkodrës, i cili do të bëjë mbylljen e festivalit

Festivali u çel me performancën e teatrit “ Koreja” të Leçes së Italisë, me interpretimin e "Gestures and Zoom", performuar nga artistët Admir Shkurtaj, Giorgo Distante dhe Redi Hasa. Tre instrumentistët performuan muzikë bashkëkohore, teatri dhe ballkanike.

Më pas skena e improvizuar është zhvendosur në ambientet e Teatrit të Kukullave në teatrin "Skampa", ku trupa e Teatrit të Bitola Maqedoni ka interpretuar shfaqjen "Më në fund" me regji të Blagoj Micevsk.

Drejtori i Festivalit, Adonis Filipi, duke e cilësuar teatrin si më të rëndësishmin e qytetarisë dhe kulturës së qytetit u shpreh se, "ky festival mbahet në kushte të vështira, por e rëndësishme është se vlerat i krijojnë njerëzit dhe ne do të tregojmë impenjimin tonë për të vazhduar më tej".
(ma.ar/BalkanWeb)

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›