Pogradec, shkelet ligji për gjuetinë e koranit
Në këtë periudhë, që përkon me shumimin, sipas ligjit, korani dhe belushka ndalohet të kapen
Inspektori: 45 raste të kapura në flagrancë. Masa për abuzuesit, gjobë, sekuestro dhe heqje licence
Pogradec-Ndonëse gjuetia e koranit dhe belushkës është e ndaluar me ligj në këtë periudhë të vitit, që përkon me shumimin e tyre, gjithçka vazhdon si më parë. Pa pyetur, jo vetëm për ligj e për urdhra, por as për mirëkultivimin e tyre në ujërat e liqenit. Në treg e restorantet e Pogradecit i gjen me shumicë të dy llojet e peshkut. Masat ndëshkuese, nga inspektorati përgjegjës nuk kanë munguar, por si shprehen edhe vetë drejtuesit gjuetia e paligjshme vazhdon të lulëzojë, duke krijuar shumë shqetësime.
Sipas inspektorit të peshkimit dhe ruajtjes së liqenit, Leonard Manellari, ndalimi i gjuetisë në këtë kohë është në zbatim të urdhrit të ministrit dhe zbatimin e ligjit nr. 7908"Për ndalimin e gjuetisë së koranit në liqen dhe grumbullimin e vezëve të koranit për inkubim". Për këtë, sipas tij, nga drejtoria e pyjeve (nga varet peshkimi ), komisariati i policisë dhe dega e tatim taksave hartuan një plan masash për ndalimin e gjuetisë së koranit dhe belushkës në kohën e shumimit. Por megjithë kontrollet e vazhdueshme përgjatë bregut të liqenit dhe në ujërat e tij, ditën dhe natën, janë vënë re shumë shkelje dhe abuzime me këtë ligj. Vetëm dje, në tregun e qytetit kishte arka me stërfe (koranë të vegjël), e krahas tij edhe koran që shitej hapur në qendër të qytetit.
Vështirësi dhe mungesë mjetesh dhe karburanti. Me këto probleme përballen ruajtësit e liqenit në zbatim të urdhrit në fjalë. "Megjithë vështirësitë e shumta të mungesës së mjeteve dhe të karburantit për të ndjekur abuzuesit janë kapur 26 raste abuzive të peshkatarëve në gjysmën e dytë të muajit dhjetor 2007 dhe 19 raste të këtij fillim viti",- thotë Manellari. Sipas tij, punohet vazhdimisht në zbatim të ligjit, por pavarësisht kësaj numërohen abuzues dhe gjuetarë që nuk zbatojnë urdhrat. Për këtë ai kërkon mbështetje më të madhe nga komisariati i policisë dhe nga drejtoria e tatimeve. Praninë e abuzuesve nuk e mohon kush, për deri sa koran shitet hapur në tregje dhe e gjen të gatuar në restorante. Tek moli i qytetit janë bllokuar shumë pajisje dhe mjete peshkimi si dhe një numër i konsiderueshëm motorësh. Inspektori Leonard Manellari thotë se është vërtet kriminale të gjuhet stërfi (korani i vogël), i cili kapet ende pa arritur peshën dhe pa lëshuar vezët e shumimit. "Së shpejti mblidhet komisioni SH.K.A i peshkimit dhe do të marrë vendim për 45 rastet e konstatuara me peshkatarët që kanë shkelur ligjin e peshkimit, i cili parashikon sekuestro, gjoba dhe heqje licence sipas rasteve",- thotë ai.