Një vit burg e gjobë ish- kreut të hipotekës në Kuçovë
Denoncimi është bërë kohë më parë nga administratorja e një kompanie dhe më pas prokuroria ka zbuluar faktet
Prokuroria e Beratit kërkoi dënimin e Kujtim Beharit për abuzimet e kryera me pasuritë e paluajtshme
BERAT- Prokuroria e beratit ka kërkuar dje dënimin e ish- kreut të Zyrës së Regjistrimit të Pronave në qytetin e Kuçovës, Kujtim Behari, me një vit burgim dhe 400 mijë lekë të reja gjobë për veprën penale të shpërdorimit të detyrës. Organi i akuzës ka dhënë dje pretencën në procesin gjyqësor që ka hetuar abuzimet e zyrës së hipotekës në Kuçovë. E gjithë çështja ka nisur pas denoncimit të bërë nga administratorja e një shoqërie, e cila kishte zbuluar se me shkresë të hipotekës i ishte përgjysmuar sipërfaqja e tokës që kishte në pronësi. Më datë 17 janar është caktuar edhe dita kur mbrojtja do të thotë fjalën e saj të fundit në lidhje me këtë çështje.
Gjatë seancës së djeshme prokurori i çështjes, Tasim Puci, paraqiti provat përfundimtare të çështjes dhe i kërkoi trupit gjykues dënimin për regjistruesin e pronave. Kështu sipas akuzës, objekt i këtij kallëzimi është bërë lëshimi nga ana e kreut të zyrës së regjistrimit Kuçovë, Behari, vërtetimi dhe harta treguese të pasurisë me numër 16-20 të tjetërsuara duke e përgjysmuar këtë pasuri si dhe duke i ndryshuar kufijtë e saj. Ka qenë vetë pronarja e Shoqërisë së Prodhimit të lëndëve larëse në Kuçovë, e njohur ndryshe edhe me emrin e vjetër "Milva" sh a., e cila në datën 16.01.2007, ka konstatuar shkeljen. Sipas pretencës, kjo shoqëri private e ngritur që nga viti 1995, mbi truallin e ish-fabrikës së prodhimit të pluhurave larës,ka në pronësinë e saj, në ngastra të ndryshme, plot 12 mijë metra katror truall. Pikërisht në këtë datë, ajo ka kërkuar një certifikatë të veçantë pronësie për 2 mijë metra katrore truall, që shoqëria ka në parcelën NR 1620, ku ndodhet edhe parku i rezervuarëve të ujit teknologjik. Por, në dokumentet e Zyrës së Regjistrimit figuronin vetëm njëmijë metra katrore në pronësi të shoqërisë "Milva" sha. Pronarja e shoqërisë i ka kërkuar shpjegime krye regjistruesit të pasurisë dhe ky i fundit ka bërë të paditurin, për zhdukjen e gjysmës së truallit të saj në pronësi. Më pas ajo i është drejtuar organit të prokurorisë së rrethit të Beratit, me një kallëzim penal dhe pas verifikimeve të ekspertëve të hetimit, kjo ka rezultuar e vërtetë. Sipas organit të prokurorisë përfaqësuar nga Puci, ky organ ka kryer një sërë veprimesh proceduriale hetimore si administrimin e të gjithë dokumentacionit që ka të bëjë me këtë pasuri, ka marrë në pyetje një sërë deklaruesish dhe pas përfundimit të çështjes e konsideroi atë të mbyllur. Kështu, për pasurinë me numër kadastral 16-20, në periudha të ndryshme, janë dhënë vërtetime nga dokumenti hipotekor të shoqëruara përkatësisht me hartat përkatëse. Më datën 16.1. 2007 nga regjistruesi Behari është lëshuar një vërtetim për pasurinë 16.20 në të cilën ishin ndryshuar kufijtë, duke përgjysmuar sipërfaqen. Pasi ka dëgjuar pretencën e prokurorisë, mbrojtja e të pandehurit i ka kërkuar gjykatës kohë për të përgatitur deklarimet e fundit. Kryetarja e trupit gjykues, Berlinda Kondi, i la një javë kohë avokatit që të lexojë mbrojtjen përfundimtare të çështjes.