E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elbasan, konkurs për obeliskun e arsimit

Në vigjilje të 100-vjetorit të çeljes së të parës shkollë Normale në vendin tonë, Elbasani kërkon të nderojë korifenjtë e arsimit shqiptar me një obelisk madhështor në qendër të qytetit. Pikërisht për këtë qëllim, Bashkia e Elbasanit ka shpallur konkursin për prezantimin e projekteve në bocete të këtij monumenti. Vetë kreu i bashkisë, Qazim Sejdini, ka pohuar se bashkia ka hapur një konkurs ku të gjithë të interesuarit po paraqesin projektet e tyre për ndërtimin e monumentit të arsimit në qytetin e Elbasanit. "Deri më tani ne jemi në fazën e përzgjedhjes së projekteve të paraqitura nga skulptorët dhe brenda muajit gusht do të shpallim projektin më të mirë për të ngritur monumentin e arsimit", tha Sejdini. Të paktën deri tani janë vendosur në zyrën e kryebashkiakut dy bocete konkurrues, ai i skulptorit Bujar Kapllani dhe Aristidh Caridha. Në këtë kuadër, Bashkia e Elbasanit ka akorduar një fond prej 8 milionë lekësh, për ngritjen e monumentit të arsimit, i cili do të përfundojë përpara muajit dhjetor, ku shënohet edhe 100-vjetori i hapjes së shkollës së parë të mesme shqipe. "Elbasani do ta ketë këtë vepër kushtuar arsimit përpara ceremonisë së 100-vjetorit të Normales dhe ne jemi akoma në fazën e shqyrtimit të projekteve", ka pohuar Sejdini, ndërsa ka shpjeguar se ende nuk është përcaktuar vendi se ku do të ngrihet ky monument, megjithëse mësohet se është hedhur për diskutim vendi që zë sot Isuf Mëzyri, pranë sheshit të Albtelekomit, i cili mund të zhvendoset në ndonjë pikë tjetër më të rëndësishme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›