E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fier, administrata nuk merr pagat e rritura

Bashkia e Fierit dhe disa komuna nuk i kanë rritur pagat për punonjësit, sipas një vendimi të Këshillit të Ministrave.

Kjo ka sjellë reagim të vetë punonjësve, si edhe të sindikatave ku ata aderojnë. Mosaplikimi i rritjes së pagës është cilësuar si padrejtësi nga Sindikata e Pavarur e Punonjësve, e cila ka kërkuar zyrtarisht respektim të ligjit dhe zbatim të vendimit të qeverisë nga ana e Bashkisë së Fierit, si dhe e disa komunave në këtë rreth. Sipas kreut të Sindikatës së Pavarur për Punonjësit në Qarkun e Fierit, Agron Shehu, është evidentuar mungesa e zbatimit të ligjit nga mjaft njësi vendore.

"Duke filluar nga 1 maji e vitit 2009 e në vazhdim ka dalë një vendim i qeverisë për rritjen e pagës minimale nga 17 mijë në 18 mijë lekë. Të gjithë punonjësit e punësuar në sistemin publik dhe jo publik përfitojnë një rritje page prej 1 mijë lekësh. Deri në këtë javë të dytë të korrikut, nuk e kanë përfituar këtë rritje page minimale shumë punonjës të njësive vendore të Fierit", pohon kreu i sindikatës së pavarur të punonjësve në Fier.

Agron Shehu tregon disa nga ndërmarrjet vartëse të bashkisë, të cilat nuk e kanë aplikuar ende pagën e re, edhe pse vendimi ka hyrë në fuqi që prej dy muajsh. "Bëhet fjalë për ndërmarrjen e pastrimit dhe të gjelbërimit në Bashkinë e Fierit, si dhe në po të njëjtin sektor të disa komunave të Fierit, që nuk e kanë aplikuar këtë pagë të re për punonjësit e tyre, edhe pse ata i kanë si punonjës në administratë publike. Janë punonjësit e shërbimeve ata që nuk janë njohur ende me pagën e re që u takon me ligj. Deri tani, edhe pse kanë kaluar dy muaj e po vijon edhe i treti muaj, nuk është aplikuar nga shumë komuna dhe bashki rritja e pagës minimale. Kjo për mua si sindikalist është e detyrueshme dhe duhej zbatuar që nga 1 maji i kaluar dhe me këtë komunat e bashkitë po regjistrojnë padrejtësi e shkelje të ligjit", ka vijuar më tej kreu i sindikalistëve të Fierit, Agron Shehu.

Duke iu referuar vendimit të qeverisë, rritja e pagave minimale dhe atyre maksimale me 5 për qind është bërë për efekt të sigurimeve shoqërore e atyre shëndetësore dhe si vendim ka hyrë në fuqi që nga data 1 maj e këtij viti.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›