Elbasan, largohet nga banesa me 4 milionë lekë, kthehet me gjysmën
Një 14- vjeçare është larguar nga shtëpia, pasi kishte marrë me vete edhe një shumë prej 4 milionë lekësh. Ngjarja ka ndodhur në qytetin e Elbasanit, ku shtetasi Sajmir Beqiri ka denoncuar në polici zhdukjen e parave që mbante në shtëpi si dhe disa sende të tjera me vlerë.
"Shtetasi Sajmir Beqiri, 44 vjeç me banim në lagjen "Syrja Dylgjeri" ka njoftuar për zhdukjen e parave dhe ka hedhur dyshimet se ato mund t'i kishte marrë vajza e gruas, e cila ishte larguar pa lënë adresë", thonë burimet e policisë, duke iu referuar kallëzimit të bërë nga "viktima" e grabitjes. Pasi kanë marrë njoftimin, policia ka nisur hetimet dhe kontrollin për gjetjen e 14- vjeçares. Në fakt nuk është dashur shumë kohë dhe pas kontrolleve vajza është gjetur sërish, ndonëse policia nuk bën me dije detaje rreth gjetjes së saj. Mësohet vetëm se vajza në momentin që është gjetur ka pasur vetëm 2 milionë lekë, ndërkohë që të tjerat i kishte shpenzuar, nuk dihet se si. Policia është duke hetuar për zbardhjen e ngjarjes.