Çekia humb njeriun e letrave Jan Vladislav
Një prej emrave më të njohur të letërsisë çeke është ndarë dje nga jeta. Poeti, shkrimtari dhe përkthyesi çek, Jan Vladislav, i detyruar nga regjimi i vjetër komunist të jetonte në mërgim për shkak të qëndrimeve të tij politike, vdiq dje në Pragë në moshën 86 vjeçe, njofton agjencia CTK.
Jan Vladislav, i cili kishte lindur më 15 janar të vitit 1923 në Hlohovec (në Sllovaki), ishte autori i disa përmbledhjeve me poezi si dhe i shumë përkthimeve nga nëntë gjuhë (gjermanisht, anglisht, gjuha kineze, frëngjisht, italisht, japonisht, rumanisht, rusisht, gjuha ukrainase). Njeriu i letrave çeke Jan Vlasdslav, i cili ishte i persekutuar nga regjimi që prej ardhjes në pushtet në shkurt të vitit 1948, drejtonte një shtëpi botuese të paligjshme përpara se të bëhej në vitin 1977 një nga nënshkruesit e parë të Kartës 77, manifest për të drejtat e njeriut i hartuar nga dramaturgu disident Vaclav Havel. I detyruar të jetonte në mërgim nga regjimi totalitar në vitin 1981, ai jetoi në Sevres pranë Parisit, ku drejtonte seminare në shkollën e studimeve të larta për shkencat sociale kushtuar kulturës.