E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elbasan, ngrihet komiteti kundër dhunës ndaj femrave

ELBASAN- Në Bashkinë e Elbasanit u ngrit sot komiteti për zbatimin e ligjit kundër dhunës ndaj grave e vajzave, me pjesëmarrjen e OJF-ve të ndryshme, bashkisë, policisë dhe gjykatës.

Kryetari i bashkisë, Qazim Sejdini, gjatë këtij takimi të parë shprehu gatishmërinë e pushtetit vendor për zbutjen e kësaj plage të rëndë të shoqërisë shqiptare, duke rritur numrin e të punësuarve të kësaj shtrese, si edhe duke i ofruar strehim grave të divorcuara si pasojë e dhunës .

Ndërsa koordinatorja e këtij projekti, Iris Luarasi, u shpreh se "projekti tre vjeçar, i financuar nga Fondi i Mirëbesimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, në përkrahje të veprimeve për eliminimin e dhunës ndaj grave në Shqipëri, Rrjeti kundër Dhunës Gjinore dhe Trafikimit, ka nisur një angazhim të zgjeruar në mbështetje të vënies në jetë të zbatimit të ligjit kundër dhunës gjinore në Shqipëri".

Gjatë takimit të realizuar në formën e bashkëbisedimit u diskutua rreth situatës aktuale, që i referohet shifrave të ushtrimit të dhunës ndaj femrave e grave në këtë rajon.

"Cdo muaj në Elbasan regjistrohen 100 raste të reja të dhunimit të femrave e grave, por në anën tjetër nuk mungojnë as rastet e dhunimit të burrave".- theksoi presidentja e Forumit në Dobi të Gruas, Shpresa Banja,

Sipas saj, çdo muaj kryhen rreth 6-10 divorce, ndërsa ky numër në vit arrin në 100.

Projekti kundër dhunës nda grave dhe vajzave administrohet nga UNIFEM dhe po zbatohet në partneritet të ngushtë me autoritetet lokale në Shkodër, Rrëshen, Pukë, Berat,Vlorë, Pogradec dhe së fundi po shtrihet edhe në Lezhë, Manzë, në zonën e kombinatit në Tiranë dhe në Elbasan.
(atsh/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›