Elbasan, polemika mes ujësjellësit dhe bashkisë
Mes bashkisë dhe ndërmarrjes së ujësjellësit Elber sh.p.k në Elbasan kanë shpërthyer polemikat. Gjithçka ka të bëjë me një projekt që ka ELBER në lagjen “5 Maji”, por që sipas drejtorit të saj, Ardian Zhidro, bashkia po bëhet pengesë duke mos firmosur këtë projekt. “Ndërmarrja e ujësjellësit Elber deklaron publikisht para opinionit qytetar elbasanas, duke e vënë atë në dijeni se Bashkia Elbasan po merret me shpifje në drejtim të ndërmarrjes Elber.
Ju informojmë se kjo ndërmarrje ka si obligim ligjor furnizimin me ujë të pijshëm dhe largimin e ujërave të ndotura në qytetin tonë, të cilën po e kryen si një shërbim prioritar ndaj qytetarëve”, theksoi Zhidro.
Më tej, Elber ka bërë me dije se kjo ndërmarrje i ka dërguar bashkisë Elbasan dy kërkesa për leje punimesh, që më datë 7 prill 2011 dhe bashkia ka hezituar të firmosë. “Ne si ndërmarrje kërkuam leje për zbatimin e investimit në lagjen NSHU në vlerën 10 milion lekë të vjetra për rinovimin e sistemit të furnizimit me ujë të pijshëm, si dhe kërkuam leje tjetër për një investimin në vlerën 50 milionë lekë të vjetra, për sistemimin e ujërave të zeza në lagjen “5 Maji”, e kërkuar kjo nga vetë banorët dhe drejtoria e Higjienës. Bashkia Elbasan, jo vetëm që nuk na pajisi me lejen përkatëse, por përgënjeshtroi opinionin qytetar me një njoftim keqinformues, në lidhje me punën që bën ndërmarrja Elber në shërbim të qytetarëve”, përfundoi Zhidro.
Ndërkohë Bashkia Elbasan ka bërë të ditur se e gjithë kjo zhurmë bëhet për fushatë elektorale. Zëdhënësja e Bashkisë, Jonida Gucaj u shpreh se “Elber e cila drejtohet nga një drejtor i LSI-së, kërkon të bëjë fushatë me premtime boshe, por qytetarët nuk gënjehen më aq lehtë. Veç kësaj, kjo ndërmarrje po bën presion mbi punëtorët, duke i detyruar ata të votojnë për LSI, duke mos respektuar votën e lirë”. F.S.