E Diel, 1 Nëntor 2026

Mësuesi shet pesticide në klasën ku jep mësim

Mësuesi shet pesticide në shkollë. Kjo ka ndodhur deri pak ditë më parë në shkollën 9-vjeçare "14 dëshmorët" në fshatin Xherije të Komunës Shals, në Elbasan.

Mësuesi Zylyf Rrodhja, i cili që prej disa vitesh u jepte fëmijëve të fshatit lëndën e fizikës dhe biologjisë, merret edhe me tregtimin e pesticideve të ndryshme që u nevojiten banorëve të fshatit Xherije. Mbasdite ai shet helm për buburrecat e patateve, për domatet, për hardhitë e rrushit, në një lokal ngjitur me shkollën.

Por aktivitetin e tij tregtar e ushtron edhe gjatë orarit të punës. Një aneks të laboratorit të tij mësimor mësuesi Zylyf Rrodhja e kishte kthyer në magazinë të pesticideve. Pa u trembur fare se çfarë pasojash mund të sjellë në shëndetin e fëmijëve mbajtja e këtyre lëndëve helmuese në të njëjtin ambient ku zhvillonte mësimin, mësues Rrodhja mirëpret në klasë çdo banor të fshatit të tij apo të zonës përreth, që ka nevojë për lëndë të tilla helmuese. Kush ka nevojë, mund të hyjë në çdo orar të paradites në shkollën "14 dëshmorët", në katin e dytë të së cilës ndodhet klasa, ku mësuesi i fizikës mban shishet me helme.

"Fiks Fare" transmetoi dje pamje filmike, ku tregohej qartë sesi bënte tregtinë e këtyre pesticideve mësuesi i fizikës brenda ambienteve të shkollës, në të njëjtën klasë ku nxënësit e prisnin për të vazhduar mësimin. Madje, bisedën me bashkëfshatarin e tij, mësuesi i cili sapo i kishte shitur një qese me helm për buburrecat e patateve, e vazhdon pa i bërë syri tërr edhe përpara derës së zyrës së drejtorit të shkollës. Askush nuk i thotë gjë për shitjen e këtyre lëndëve helmuese. Madje, një mësuese e kësaj shkolle është e pranishme në momentin kur profesori i fizikës shet helmin për buburrecat e patateve dhe mundohet që të nxjerrë jashtë klasës personin që filmonte.

Edhe drejtori i shkollës, Ali Sallja, i cili shikon çdo ditë fshatarët që hyjnë e blejnë në shkollën që ai drejton, lëndë helmuese, e mohon një fakt të tillë. Ndërkohë që sapo ka dalë nga dera e shkollës, një tjetër banor i fshatit Xherije që ka blerë helm për hardhitë e rrushit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›