Elbasan, reformatorët dhe demokratët bëjnë aleancën e parë
20/04/2005 Dega e PD-së Elbasan ka organizuar dje një tryezë të rrumbullakët me përfaqësues të partive të djathta, për të konfirmuar aleancën mes tyre në zgjedhjet e përgjithshme. Kryetari i degës së PD-së Elbasan, Aurel Bylykbashi, ka prezantuar disa nga emrat që do të kandidojnë në këtë qytet, duke prekur njëkohësisht edhe emrat e mundshëm që priten të caktohen në të ardhmen. Aleatët, ndër të cilët kryetari i PDR, Behar Gjevori, kanë konfirmuar mbështetjen për kandidatët, ndërkohë që kanë deklaruar se këto parti do të kërkojnë votimin për subjektet e tyre, ndërkohë që për mazhoritarin do të ofrojnë mbështetjen për kandidatin e PD-së. Në takim mungonin vetëm përfaqësuesit e LZHK-së, me të cilët PD-ja ka deklaruar se nuk do të bëjë aleancë në zgjedhjet e ardhshme. Kjo është aleanca e parë zyrtare që bëhet nga degët e partive respektive në rrethe përpara se të konfirmohet zyrtarisht koalicioni mes PD-së dhe PDR-së.