E Diel, 1 Nëntor 2026

Murinjo: Erdhi fundi

20/04/2005  Sipas Hoze Murinjos, sfida me Arsenalin në “Stemford Brixh”, mund të jetë momenti vendimtar për të kurorëzuar Çelsin, kampion të Anglisë. Trajneri portugez mendon se duhet zgjidhur sa më shpejt të jetë e mundur, çështja e fitimit të titullit, përpara se blutë të përqëndrojnë gjithë energjitë e tyre në Ligën e Kampioneve. Me fitoren e sotme kundër Arsenalit, djemve të Murinjos, do t’iu duheshin vetëm dy pikë, për të vulosur përfundimisht titullin kampion që i mungon këtij klubi prej 50 vjetësh. Megjithatë, Murinjo kërkon prej lojtarëve të tij që ata të përqëndrohen së tepërmi edhe në gjysmëfinalen e Ligës së Kampioneve, kundër Liverpulit, në datën 27 prill. “Do të doja që ta fitoja këtë trofe me çdo kusht dhe prandaj, kam menduar të lë pushim disa nga lojtarët e mi të rëndësishëm, ka thënë Murinjo. Për ne nuk ka qenë e lehtë, sepse kemi zhvilluar plot 54 ndeshje në sezon”. Nga ana tjetër, Murinjo ka mohuar edhe faktin se ka kritikuar autoritetet e UEFA-s, nëpërmjet rrjetit televiziv portugez "SIC". Në disa nga spekulimet e fundit është bërë e ditur se, Murinjo i ka quajtur “qesharake”, kritikat e UEFA-s kundrejt ndihmësit Rui Faria. Këtij të fundit i është kërkuar nga gjyqtarët e UEFA-s që të hiqte kapuçin nga koka, gjatë zhvillimit të ndeshjes së kthimit kundër Bajernit të Mynihut, në Ligën e Kampioneve. Kjo kërkesë ishte realizuar në mënyrë që Faria të tregonte se nuk kishte fshehur asnjë lloj aparati, prej ku mund të komunikonte me trajnerin portugez të Çelsit. Por, nga ana tjetër, Murinjo ka shprehur krejt të kundërtën. “Unë e respektoj deri në fund dënimin e UEFA-s, ka shtuar Murinjo. Mënyra se si unë jam sjellë nuk besoj të ketë krijuar ndonjë problem të veçantë. Unë e kam ndjekur ndeshjen e parë në “Chelsea Health Club”, ndërsa të dytën në hotelin e Mynihut. Ndoshta televizionet e ndryshme janë përpjekur të zbulojnë gjëra të paqena. Mjafton të përmendësh rastin e Ruit, të cilit i është kërkuar të heqë kapuçin për transparencë të madhe në pankinë. Sidoqoftë, ne kemi zhvilluar një ndeshje të ndershme dhe e kemi merituar plotësisht kualifikimin”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›