E Diel, 1 Nëntor 2026

OSBE mbështet financiarisht verifikimin e listave

20/04/2005  Bashkëkryetarët e komisionit parlamentar marrin mbështetjen e Vaçek për grupet e punës

Bashkëkryetarët e Komisionit të Posaçëm parlamentar kanë zhvilluar dje një takim me kryetarin e prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Pavël Vaçek, ku kanë siguruar mbështetje për financimin e grupeve të punës, që do të merren me verifikimin e listave të zgjedhësve. Opozita në këtë takim është përfaqësuear nga nënkryetari i Grupit parlamentar të PD-së, Jemin Gjana, ndërsa Partia Socialiste nga bashkëkryetari i komisionit, Elmaz Sherifi. Pas takimit, Gjana u shpreh se problemi i verifikimit listave të zgjedhësve nuk qëndron te financimi i këtij procesi, por te vullneti politik i maxhorancës për të penguar punën e komisionit parlamentar të ngritur për këtë qëllim. “Me sa duket, janë duke u harmonizuar tërë elementët që do të bëjnë të mundur ngritjen e këtyre grupeve të punës. Nuk është problem financimi pengesa kryesore në këtë çështje besoj unë. Problemi qëndron te vullneti politik i maxhorancës për të penguar komisionin që të ushtrojë punën për të cilën është ngritur”, tha Gjana. Mbështetjen e OSBE-së për këtë çështje e ka konfirmuar edhe bashkëkryetari i komisionit parlamentar Elmaz Sherifi, i cili pohon se së shpejti do të fillojë puna për verifikimin e regjistrimit të zgjedhësve në lista. “Kemi diskutuar dhe me ministrin e Pushtetit Vendor dhe të Decentralizimit si dhe me ambasadorin Vaçek për të gjetur mundësitë e bashkëpunimit me të tërë grupet e punës dhe menjëherë të fillojë kontrolli i listave në njësitë e qeverisjes vendore sipas programit të paraqitur”, tha Sherifi. Në të gjithë vendin do të ekzistojnë 41 grupe pune që në bashkëpunim me drejtuesit e pushtetit lokal do të verifikojnë problemet në listat e zgjedhësve si dhe do të kërkojnë riparimin e tyre. Grupet e punës do të raportojnë pranë komisionit të posaçëm parlamentar të ngritur për këtë qëllim. Ky proces do të përfundojë më 15 maj të këtij viti.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›