Kapelo: Qetësi ndaj Interit
20/04/2005 Pas shkëputjes në krye të renditjes, Fabio Kapelo është më i qetë: “Ndeshja e sotme, kundër Interit, do të jetë si gjithmonë shumë e ashpër, edhe pse pozicioni ynë në renditje na lejon të luajmë me më shumë qetësi. Por njëkohësisht, duam të ruajmë 3 pikët e avantazhit dhe kundër zikaltërve, që kanë një potencial të jashtëzakonshëm, nuk do të jetë e lehtë”. Kapelo paraljamëron lojtarët e tij për vështirësitë që do të hasin sot në mbrëmje kundër Interit, një skuadër që edhe në ndeshjen e fazës së parë i tregoi vlerat e saj, duke përmbysur rezultatin nga 0 : 2 në 2 : 2, brenda 10 minutave të fundit: “Ndeshjen e parë i lamë shumë hapësira Interit. Pasi shënuam edhe golin e dytë, u rehatuam dhe i lejuam të na barazonin. Nuk duhet ta përsërisim të njëjtin gabim, sepse ata kanë lojtarë që mund të vendosin një mdeshje, apo të përmbysin rezultatin çdo moment. E rëndësishme do të jetë ruajtja e qetësisë, sepse ndeshja mund të mos ecë sipas parashikimeve tona dhe Interi do të na ndëshkojë ashpër nëse do të hutohemi”. Ndeshja e sotme kundër Interit, do të jetë e para e një serie aspak të lehtë për Juventusin, që në letër ka një kalendar më të vështirë se Milani. “Ne nuk duhet t’i bëjmë llogaritë me Milanin. Ajo që ndodhi të dielën e kaluar, tregon se tani të gjitha ndeshjet janë të vështira, sepse çdo kundërshtar lufton për një objektiv, qoftë ky titulli, kualifikimi në Ligën e Kampioneve, zona UEFA, apo qëndrimi në Serinë A. Të gjithë japin maksimumin në këtë moment dhe çdo ndeshje mund të ketë të papritura”, vazhdon trajneri i Juventusit, që ndërkohë mund të mbështetet te një Ibrahimoviç në formë të jashtëzakonshme, autor i 5 golave në dy ndeshjet e fundit: “Zlatanit nuk i mungon asgjë, as prekja delikate, as potenca në gjuajtje. Ka punuar shumë nga ana teknike, duke u përpjekur sidomos të përmirësojë gjuajtjen në portë, gjë që vihet re, sepse kohët e fundit nuk po i godet shumë portierët. Është i ri dhe mund të përmirësohet akoma shumë, si në lojën ajrore për shembull, ku mund të japë akoma më tepër”, deklaron në përfundim të intervistës së tij Kapelo.