E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrasësi: Isha i dehur kur qëllova policët

RRËFIMI/ Përpara përfaqësuesit të akuzës, Afrim Hasani ka pranuar autorësinë e krimit të kryer

34-vjeçari nuk ka shprehur pendesë për vrasjen e punonjësve të policisë, duke thënë vetëm se s'mbante mend

TIRANË- Afrim Hasani nuk ka shprehur pendesë për vrasjen e dy policëve, por vetëm frikë për hakmarrje ndaj familjes së tij, ndërsa veprimin e kryer e ka justifikuar me sasinë e alkoolit të konsumuar.

Ky fakt konfirmohet nga burimet zyrtare pranë institucionit të akuzës, të cilët shtuan se për tre orë i pandehuri Hasani ka pranuar të "rrëfehet" para prokurorit të çështjes Ardian Nezha në lidhje me vrasjen e policëve. "Shtetasi Afrim Hasani ka pranuar krimin e kryer, duke pretenduar se ka qenë i dehur në momentin e vrasjes së policëve Shkëlzen Dobrushi e Ramadan Hila.

Por ai mbante mend të gjithë numrat e thirrur nga ai dhe bisedat e bëra. Ndërkohë, edhe pse është pyetur disa herë për motivet e vrasjes së policëve, Hasani nuk ka preferuar të shprehë pendesë, por gjatë gjithë kohës shfaqte vetëm frikën e hakmarrjes ndaj pjesëtarëve të familjes së tij nga familja Dobrushi e Hila",- thanë burimet e "Shekulli"-t.

Sipas tyre, gjatë gjithë deklarimeve të tij dhe pyetje-përgjigjeve, shtetasi Hasani ishte i qetë dhe ka treguar të gjithë ngjarjen, që nga dita e parë e konfliktit me policët, që është data 17 mars 2009.


Dëshmia


"Kisha ca ditë që kisha dalë nga burgu dhe pa punë. Nuk kisha ç'të bëja dhe vetëm konsumoja alkool. Më 17 mars 2009 kam qenë me dy shokë dhe kemi pirë pak si shumë në lokalin e shtetases L.B. që ndodhet në fshatin Shemri. Aty, pasi kam pirë disa gota, jam dehur dhe kam thyer xhamin dhe disa karrige e tavolina. Më pas, jemi ngritur për të ikur në fshatin Petkaj ku edhe banoja.

Rrugës na kanë ndaluar policia, ku ishin Shkëlzen Dobrushi e Ramadan Hila. Më ndaluan dhe kërkuan dokumentet dhe më thanë që të shkoja në komisariat se kisha shkaktuar disa dëme. Unë refuzova të shkoja duke u sharë dhe fyer, sepse isha i dehur, dhe jam larguar me makinën time.

Gjatë ikjes kam qëlluar një makinë që ishte parkuar anash rrugës me armën që mbaja në makinë. Dy shokët policia i shoqëroi në komisariat. Kur dolën këta, dy shokët më thanë që polici Dobrushi e Hila kanë bërë kallëzim ndaj teje.

Të nesërmen, policia bashkë me Dobrushin dhe Hilën më kanë kontrolluar banesën për të më gjetur mua dhe armën që kisha qëlluar. Unë i vëzhgoja nga një kodër aty përballë shtëpisë sime. Ky kontroll banese dhe kallëzimi ndaj meje më ka fyer.

I kam dërguar fjalë për ta tërhequr kallëzimin, por nuk e kanë bërë dhe më 24 mars kisha pirë shumë dhe kam hyrë në lokal me armë dhe nuk mbaj mend çfarë kam bërë.

Pasi kam qëlluar me armë, kam dalë që aty me makinën time dhe kam lajmëruar vjehrrin dhe motrën për t'i thënë "amanet fëmijët se do vrisja veten" dhe jam fshehur në një shtëpi të braktisur ku të nesërmen jam dorëzuar", ka thënë ndër të tjera Hasani duke mos shprehur pendesë për krimin e kryer.


Akuza


Sipas akuzës, mbrëmjen e 24 marsit, aty rreth orës 21:00 dy policët Dobrushi e Hila janë qëlluar me armë në një nga lokalet e fshatit Shemri, pak minuta para marrjes së shërbimit të tretë që kishin.

Sipas këqyrjes së kufomave, të dy efektivët e policisë janë qëlluar me pesë plumba në total, ku Ramadan Hila ka marrë një plumb në kokë, ndërsa oficeri Shkëlzen Dobrushi tre në gjoks e një në kokë. Mësohet gjithashtu se mesditën e sotme pritet që i pandehuri Hasani të dalë para togave të zeza për vleftësimin e arrestit dhe caktimin e masës së sigurisë për kryerjen e veprës penale të "vrasjes në rrethana cilësuese".

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›