Himarë, banorët përfundojnë në qeli pas protestave
Burime zyrtare të policisë deklaruan se katër banorë janë shoqëruar për shkak se kanë kundërshtuar uniformat blu
VLORË - Katër banorë të Himarës, mes të cilëve edhe një drejtues i shoqatës "Omonia" kanë përfunduar në komisariat, teksa kanë kundërshtuar vijimin e punimeve të firmës që po merret me ndërtimin e rrugës nacionale Dhërmi-Sarandë dhe konkretisht me aksin rrugor që përshkon plazhin e Potamit.
Burime zyrtare nga policia bënë të ditur për gazetën "Shekulli" se ndërhyrja e bluve ka ardhur si pasojë e një kërkese të bërë nga Zyra e Përmbarimit dhe Policia Ndërtimore.
"Prania e Policisë së Shtetit ka qenë në mbështetje të Përmbarimit dhe Policisë Ndërtimore, për prishjen e disa objekteve pa leje", u shpreh drejtori i policisë së Vlorës, Vehbi Bushati. Sipas tij, të pranishëm kanë qenë edhe përfaqësues të Bashkisë së Himarës, si dhe Policia Bashkiake e Himarës.
Por në vendin ku po kryhej prishja e objekteve, disa banorë të zonës kanë kundërshtuar këtë veprim, çka ka bërë që policia t'iu bëjë thirrje për largimin dhe për lejimin e prishjeve. Por, pavarësisht thirrjeve, sipas Bushatit, banorët kanë vepruar dhunshëm çka ka bërë që katër prej tyre të shoqërohen në postën e policisë së Himarës.
"Bëhet fjalë për katër persona, të katër meshkuj, dhe njëri prej tyre është një nga drejtuesit e shoqatës "Omonia", shprehen burime të policisë, ndërsa kundërshtojnë pretendimin e banorëve se policia ka shoqëruar tri gra dhe dy burra.
Të ndaluarit janë marrë në pyetje dhe në orët e vona të pasdites janë liruar. Kjo ka bërë që të vijojnë edhe prishjet e ndërtesave. Lidhur me kërkesat e banorëve, drejtori i policisë së Vlorës shprehet se detyra e tyre është të zbatojnë ligjin, ndërsa fakti nëse banorët kanë të drejtë apo jo në kërkesat e tyre, nuk është kompetencë e bluve.
Ndërkaq mësohet se banorët nuk kanë lejuar firmën të kryejë punimet, pasi aksi rrugor kalon në pronat e tyre të ligjshme. Të shoqëruarit nga policia bëhet e ditur të jenë nga familja Andruco dhe nga familja Maraçi.
Vetë banorët ankohen se ata nuk janë kundër projektit për ndërtimin e rrugës, por ndërtimi që po kryhet nuk është në përputhje me projektin e paraqitur fillimisht. Lidhur me faktin nëse ndaj personave të shoqëruar do të ngrihet apo jo akuzë, bëhet e ditur se materialet i kanë kaluar prokurorisë, e cila do të marrë një vendim.
-------------------------------------------------------------------------------------------
Banorët: Është spostuar projekti i rrugës
I kontaktuar në telefon nga gazeta "Shekulli" një nga të shoqëruarit nga policia, Kosta Andruco, rrëfen se janë mbajtur mbi 8 orë në komisariat dhe se do t'i drejtohen prokurorisë për të fituar të drejtën e tyre. Ai tha se familja e tij zotëronte një parcelë poshtë karburantit të vjetër dhe rruga që po ndërtohet, kalon edhe në pronën e tyre.
"Por, - u shpreh Andruco, - bashkia në bashkëpunim me ndërmarrjen që ka marrë përsipër ndërtimin e rrugës, e kanë spostuar aksin, kështu, në vend të 1,5 metrave që merr kjo rrugë nga prona ime, tashmë do të marrë tre".
Andruco rrëfen se kryetari i bashkisë e ka bërë këtë, pasi personi që ndodhet në krahun e sipërm të rrugës është i njohur i tij.
Kështu, për të shmangur prishjen e objektit të ndërtuar mbi rrugë, është vendosur që rruga të spostohet pak më poshtë. "Ne na shoqëruan sot forca të policisë të ardhura nga Fieri. Madje na treguan edhe një shkresë se ishin thirrur nga kryetari i bashkisë, - tha Andruco.
- Policia më mori mua, gruan dhe kunatën time. Shoqëroi edhe Maraçin me të shoqen (një tjetër banor që preket nga spostimi i aksit). Do të merrnin edhe një grua plakë. Madje, pasi na hipën në furgonë, bënë një xhiro rreth e qark qytetit që t'u shtinin frikën njerëzve",- vijon banori.
Ai thotë se janë të paktën katër familje që preken nga kjo lëvizje e kryer nga kryetari i bashkisë (emrin e të cilit nuk e përmend aspak). I pyetur se ç'do të ndodhë më pas, Kosta Andruco shprehet se do të bëjnë atë që duhet të kishin bërë kohë më parë: t'i drejtohen prokurorisë. "Bëmë gabim që nuk bëmë më parë një kallëzim penal, por nesër do të jemi në prokurorinë e Vlorës", përmbyll ai.