Pranga kreut të Policisë Bashkiake
BATICA/ Arrestimet e katër funksionarëve janë kryer pas disa muajve që ata mbaheshin nën vëzhgim
Të prangosurit akuzohen për korrupsion, pasi kanë marrë para në këmbim të moszbatimit të ligjit për pronat
DURRËS- Policia vë në pranga kreun e Policisë Bashkiake të Durrësit, një tjetër punonjës të kësaj strukture, administratorin e njësisë administrative nr.4 të Durrësit, inspektorin e komunës së Spitallës, si dhe një tjetër shtetas, i cili dyshohet si sekser.
Arrestimi i punonjësve të shtetit u bë pasi ata akuzohen për "korrupsion pasiv nga persona që ushtrojnë funksione publike".
Arrestimi
Në orët e paradites së djeshme, në afërsi të tregut të fruta-perimeve të qytetit të Durrësit, rreth 15 policë kanë arrestuar në mes të publikut që ndodhej në ato momente duke bërë blerjet e ditës në treg, kreun e Policisë Bashkiake të qytetit të Durrësit Rexhep Bulkun, si dhe Bashkim Malokun, polic në Policinë Bashkiake. Pas tyre, në pranga janë vënë edhe Lutfi Sh.
Dervishi, inspektor i Komunës Spitallë, Luan Shaba, administrator i njësisë administrative nr.4 të Durrësit, si dhe Fetah Mataj. Operacioni për arrestimin u krye rreth orës 11:00 nën emrin e koduar "Batica".
Ndalimi, sipas policisë, është bërë pas disa muajsh hetimesh, për shkak se në mënyrë operative ishin marrë të dhëna për veprimet jo të ligjshme që po kryenin këta shtetas.
Lidhja ka qenë Fetah Mataj, i cili ka marrë para "për të zgjidhur problemet" në emër të "miqve" të tij, duke shërbyer kështu si sekser.
Kështu, burimet zyrtare shprehen se në hetimet e kryera rezultoi se të pandehurit kryenin veprime që bien në kundërshtim me ligjin dhe rregulloren gjatë ushtrimit të veprimtarisë së tyre.
Kështu shkeljet janë kryer në zbatimin e urdhrave dhe vendimeve për prishjen e ndërtimeve pa leje, mbylljen e aktiviteteve pa licencë, si dhe duke lejuar ndërtimin e objekteve pa leje.
Këta persona u kërkonin qytetarëve para në këmbim të ndereve e favoreve për mosekzekutimin e vendimeve për prishje objektesh të paligjshme apo mosmbylljen e aktiviteteve pa licencë.
Provat
Shtetas të ndryshëm kanë dhënë deklarimet e tyre në lidhje me këtë fenomen.
Ata janë përballur shpesh me një person që, sipas policisë, luante rolin e sekserit në marrjen e parave duke u siguruar favore që miqtë e vet i kishin në kompetencë të tyre për t'i zbatuar ose për mos t'i zbatuar. Sipas policisë, rolin e këtij sekseri ndërmjet punonjësve të policisë bashkiake dhe qytetarëve e kryente Fetah Mataj.
Pas arrestimeve të bëra, gjatë kontrollit të ushtruar në zyra dhe banesat e të ndaluarve u sekuestruan dokumente që vërtetojnë veprimtarinë korruptive të cilat i janë bashkangjitur dosjes hetimore.
Dokumentet konsistojnë në urdhrat e dhëna për shembje që nuk janë zbatuar dhe si dhe për shembje të bëra me ndërmjetësi të palëve që kishin interesa të kundërta në konflikte për pronën.
Kreu i Policisë Bashkiake të qytetit të Durrësit Rexhep Bulku, si dhe Bashkim Maloku, polic në Policinë Bashkiake mësohet se janë ndaluar vitin e kaluar dhe ndaj tyre është ngritur akuza për rrahje. Por ata janë liruar pas një garancie pasurore, ndërsa më pas akuzat ndaj tyre kanë rënë.
Akuzat
"Korrupsion pasiv nga persona që ushtrojnë funksione publike"
"Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave publike"
Të arrestuarit
Rexhep Bulku - shef i Policisë Bashkiake Durrës
Bashkim Maloku - polic trupe në Policinë Bashkiake Durrës
Lutfi Sh. Dervishi - inspektor i Komunës Spitallë Durrës
Luan Shaba - administrator i njësisë administrative nr.4 Durrës
Fetah Mataj - sekser, i dënuar më parë për vepra penale kundër personit