Lind vajza e incestit, të pandehurit akuzojnë për shpifje
Së shpejti djemtë e xhaxhait do të depozitojnë kërkesën për të kryer analizën e ADN-së së foshnjës
ELBASAN - Ka lindur vajzë nga shtatzënia e 18-vjeçares nga fshati Plangaricë që akuzoi dy kushërinjtë e saj për marrëdhënie sekuale me dhunë.
Fëmija, që mësohet se është relativisht mirë me shëndet nuk është marrë nga nëna e saj N.Ç., pasi prindërit e saj nuk e kanë lejuar dhe nuk kanë dashur ta rrisin fëmijën. Por lindja e foshnjës ka bërë që të dalë në skenë edhe pala e akuzuar.
Megjithëse njëri prej vëllezërve është ende i shpallur në kërkim, i larguar në Greqi, ata po përgatiten që nëpërmjet një avokati të depozitojnë një kallëzim për shpifje ndaj vajzës dhe të kërkojnë kryerjen e analizave të ADN-së së foshnjës.
Dy vëllezërit pretendojnë se nuk janë ata baballarët e fëmijës së vajzës së xhaxhait të tyre. Ata pretendojnë se vajza vuan nga probleme mendore dhe ka çrregullime të herëpashershme psikike. Kjo situatë pritet t'i japë edhe një zgjidhje çështjes.
Dy familje vëllezërish tashmë janë vënë në konflikt me njëra-tjetrën, por deri tani nuk ka asnjë reagim nga pala e dëmtuar. Sipas të dhënave të mësuara, vajza ka lindur këtë javë një fëmijë të seksit femër.
Ajo ka nënshkruar dokumentacionin se e braktis fëmijën dhe është marrë nga prindërit e saj për t'u kthyer sërish në fshat. Në ditët në vazhdim, kur pritet edhe që dosja të përfundojë në gjykatë, pala e akuzuar shprehet se do të kërkohet bërja e analizave që vërtetojnë atësinë e fëmijës.
Nëna e foshnjës akuzoi dy djemtë e xhaxhait të saj se e kishin përdhunuar dhe e kishin lënë shtatzënë. Si pasojë e këtij incesti ka lindur një vajzë, të cilën familjarët e 18-vjeçares nuk kanë pranuar ta mbajnë.