Elbasan, sekuestrohen 5 kg drogë, arrestohen 4 persona
Dyshimet, lidhje në trafikun e drogës për të cilin akuzohet presidenti Arben Laze, i arrestuar pak javë më parë. Katër personat, nën survejim prej disa kohësh
Policia e Elbasanit në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda sekuestroi dje 5 kg drogë dhe ndaloi katër persona. Sasia e drogës u kap në dy ambiente të ndryshme, 4 kg heroinë në një automjet tip taksi, ndërsa 1 kg kokainë në një magazinë në Elbasan. Mësohet se ndalimi i këtyre shtetasve ka ndodhur në aksin rrugor Elbasan-Librazhd. Lënda narkotike e kapur do të përdoret si provë materiale ndaj shtetasve të arrestuar. Një fakt i tillë konfirmohet nga burime zyrtare policore të qytetit të Elbasanit, të cilët shtuan: “Në bazë të një operacioni antidrogë të koduar “Mesfushori 1”, të zhvilluar në qytetin e Elbasanit është bërë e mundur ndalimi i 4 personave dhe sekuestrimi i 5 kilogramëve lëndë narkotike”. Sipas të njëjtave burime, shtetasit e ndaluar janë Thanas Bebi, Gjergji Gjika, Bexhet Hidri e Mikel Dima. “4 kg e llojit heroinë mësohet të jetë gjetur në taksinë e drejtuar nga Hidri, ndërsa 1 kg kokainë u gjet e fshehur në një magazinë në Elbasan”, - shtuan më tej burimet, duke theksuar se ky operacion u zhvillua nga Prokuroria e Krimeve të Rënda në bashkëpunim me policinë e Elbasanit, konkretisht me seksionin e Antidrogës. Sipas burimeve policore, në automjetin tip taksi kanë qenë duke transportuar drogën shtetasit Bexhet Hidri e Mikel Dima, ndërsa në magazinë me kokainën janë gjetur shtetasit Gjergji Gjika e Thanas Bebi. Policia kishte kohë që kishte në survejim katër të ndaluarit, ndërkohë që dyshohet se droga e kapur dje, si dhe katër të ndaluarit të kenë lidhje me operacionin “Mesfushori”, ku u arrestua presidenti i ekipit të futbollit Arben Laze dhe vëllai i tij Fatjon, si dhe dy shtetas të tjerë, Arben Prifti dhe Shkëlqim Hyzmo.