E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI-ja ndryshon kryesinë, të rinjtë e LRI-së në drejtim



Kandidatët për deputetë me “një anëtar një votë”

Deri në mars LSI-ja do të përpilojë listën e emrave

Lëvizja Socialiste për Integrim ka ndryshuar kryesinë e saj, duke u besuar të rinjve të forumit rinor të partisë dy nga postet më të rëndësishme, atë të nënkryetarit dhe të sekretarit të përgjithshëm. Ky ndryshim bëhet, sipas LSI-së, në prag të organizimit të zgjedhjeve të reja dhe synon forcimin e drejtimit të partisë. Të rinjtë Erisa Xhixho dhe Besjan Pesha kanë marrë tashmë poste të barabarta me themeluesit e partisë, Pëllumb Xhuxhi dhe Petrit Vasili. Sipas njoftimit të bërë dje nga selia e LSI-së: “Komiteti Drejtues Kombëtar, për t’i dhënë një impuls të ri anës organizative në kushtet e fushatës elektorale, vendosi që kryetarja e LRI-së, Erisa Xhixho, të emërohet njëkohësisht nënkryetare e LSI-së, sekretari i përgjithshëm i LRI-së, Besjan Pesha, të emërohet njëkohësisht zv.sekretar i përgjithshëm i LSI-së”. Duket se dhe pse ka pak vite jetë në arenën politike, LSI-ja nuk e ka ndier veten aq të re duke u besuar të rinjve më shumë pushtet në prag të zgjedhjeve. Forumi rinor mori një rëndësi të veçantë në organizimin e protestave gjatë grevës së urisë së deputetëve të LSI-së për Kodin Zgjedhor, duke krijuar peshën vendimtare brenda partisë. Duket se dhe Meta nuk ka lënë pa i shpërblyer për ditët e gjata të protestave para Kuvendit, duke u dhënë frenat e partisë. Nuk dihet nëse ky vendim do të ngjallë xhelozinë e të vjetërve në parti. Gjithsesi, duket se Ilir Meta i beson më shumë politikës së të rinjve, duke marrë shembull karrierën e tij personale, kur nga Forumi Rinor i PS-së u ngjit rreth moshën 30-vjeçare në postin e Kryeministrit. Njëkohësisht, dje KDK-ja bëri dhe disa lëvizje të tjera: Anëtarja e Kryesisë së LSI-së, Luzhjana Abazi u emërua njëkohësisht zv.sekretare e përgjithshme e LSI-së, si dhe Nora Malaj u emërua sekretare e shanseve të barabarta.

Zgjedhja e kandidatëve

Debatet brenda familjes së majtë politike dhe shpresat për një bashkëpunim me ish-partinë mëmë, PS-në, nuk e kanë penguar LSI-në që të nisë herët përgatitjet për zgjedhjet e këtij viti. Në zhvillimin e komitetit drejtues të saj kjo parti ka përcaktuar zgjedhjen e emrave që do të garojnë për deputet me parimin “një anëtar një votë” nga anëtarësia e partisë. Kjo procedurë pritet që të nxjerrë deri në muajin mars emrat që do të garojnë për deputetë në siglën e LSI-së, ndërkohë që kreu i saj, Ilir Meta, ka ritheksuar objektivin për të dalë forcë e parë politike. Me zgjedhjen e kandidatëve me parimin “një anëtar një votë” LSI-ja ka sfiduar kështu dhe PS-në, e cila nuk do ta ndjekë këtë procedurë megjithëse kreu i saj, Edi Rama, e kishte trumbetuar këtë parim kur erdhi në parti. Në mbledhjen e LSI-së u vendos që Kryesia e LSI-së do të kthehet në Shtab Qendror Elektoral, ndërsa kryesitë e LSI-së në rrethe do të kthehen në shtabe vendore elektorale. Meta, duke folur për fushatën tha: “Ne nisim organizimin tonë për fushatën elektorale. Pra, shpallim gjendjen e fushatës elektorale në të gjitha strukturat tona, sepse fushata është në prag. Gjithçka ka përfunduar në drejtim të rregullave të kësaj fushate, të cilat nuk janë të ndershme, por garancitë shtesë i kemi premtuar dhe do t’i realizojmë ne vetë. Ndaj kërkojmë që në këtë mbledhje Kryesia Qendrore e LSI-së të kthehet në Shtabin Qendror të fushatës dhe të gjithë kryesitë në çdo rreth dhe njësi vendore të kthehen në shtabet vendore të fushatës elektorale, që do të thotë se funksionimi normal i tyre merr fund dhe nis funksionimi i një gjendjeje elektorale”.

Ceka, mes LSI-së dhe PD-së

Një parti e cila mbetet akoma pa vendosur në anën e kujt do jetë në zgjedhjet e ardhshme, është Partia Aleanca Demokratike, e drejtuar nga Neritan Ceka. Megjithëse afrimi i tij me PD-në është i dukshëm, ai nuk përjashton dhe mundësinë e bashkëpunimit me LSI-në. Nënkryetari i Kuvendit, Ceka, ende nuk është i vendosur nëse për fushatën e 2009-ës do të jetë në një koalicion të majtë apo të djathtë. Sipas tij, janë të mundshme të dyja aleancat. “LSI-ja ende është një aleat i mundshëm në të ardhmen”, - deklaron presidenti i PAD-së. Kjo parti nuk ka pranuar një marrëveshje me Partinë Socialiste, madje Ceka e akuzoi Edi Ramën se i ka ofruar pazare në këmbim të një vendi në listën e deputetëve. Ndërkohë, duket se çdo ditë e më shumë PAD-ja po afrohet me PD-në, nga ku Ceka ka ikur që në vitin 1992.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›