E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elbasan, shtohet numri i grabitjeve pa autorë

VJEDHJET/ Gjatë mesnatës, një 40-vjeçar është kërcënuar e më pas grabitur teksa ishte përpara banesës së vet bashkë me të ëmën

Ende nuk janë identifikuar personat, për të cilët dihet vetëm se u larguan me një makinë pas grabitjes së parave

ELBASAN- Një tjetër grabitje i është shtuar listës së vjedhjeve të ndodhura në qarkun e Elbasanit dhe që ka tronditur banorët. Ashtu si dhe shumë ngjarje të tjera para saj, policia nuk ka mundur të vërë në pranga autorët, madje as t’i identifikojë, në një kohë që vjedhjet e njëpasnjëshme të ndodhura në këtë rreth, kanë nisur të krijojnë idenë e pasigurisë, fakt që mohohet nga uniformat blu, por jo nga denoncimet e shumta për vjedhje. Më e fundit, mbrëmjen e së hënës, një 40-vjeçar është grabitur përpara shtëpisë së tij, duke iu marrë 900 euro dhe 15 mijë lekë të reja që kishte me vete.

Ngjarja

Ngjarja e rëndë është regjistruar në vendin e quajtur Belebej, poshtë hekurudhës në lagjen “Emin Matraxhiu” të qytetit të Elbasanit. Shtetasi E.H, 40 vjeç, ishte duke u kthyer në shtëpi bashkë me nënën e tij me mjetin tip “Benz” me targa italiane, rreth orës 01:00. Sapo është ndalur për të hapur portën hyrëse të shtëpisë trikatëshe, 40-vjeçari ka dëgjuar zërin kërcënues të një njeriu me veshje të zezë. Sipas dëshmisë së të dëmtuarit autorët ishin më shumë se një, por vetëm njëri prej tyre ka folur duke e kërcënuar se do ta vrisnin nëse nuk jepte të gjitha paratë që kishte me vete. I frikësuar, ai ka nxjerrë nga xhepat rreth 900 euro dhe 150 mijë lekë. Pasi kanë marrë paratë, grabitësit janë larguar me vrap drejt tunelit që të nxjerr në rrugën nacionale. Nga atje janë larguar më pas me anë të një makine. Ndërkohë, i dëmtuari ka shkuar me shpejtësi të telefonojë policinë ku edhe ka denoncuar për ngjarjen e ndodhur.

Hetimet

Menjëherë shërbimet policore kanë filluar kontrollet në akset rrugore kryesore. Një grup hetimor ka marrë dëshmitë e dy të dëmtuarve dhe nga të dhënat e para mësohet se autorët kanë pasur dijeni mbi lëvizjet e viktimës së tyre dhe kanë organizuar sulmin duke përfituar edhe nga mungesa e ndriçimit në rrugicën e shtëpisë së 40-vjeçarit. Policia ka shoqëruar në komisariat disa persona ndër të cilët edhe të njohur të familjes së dëmtuar që mund të kenë dijeni mbi këtë ngjarje.

PRONONCIMI/ Nëndrejtori i policisë shprehet se ka raste vjedhësish-shëtitës, të vështirë për t’u vënë në pranga

Metko: Vjedhësit në Elbasan, joprofesionistë

ELBASAN - Ylli Metko, nëndrejtor i policisë së Elbasanit, thotë se rastet e vjedhjeve nuk janë një shqetësim krahasuar edhe me qarqet e tjera në vend. “Është e vërtetë që janë regjistruar disa vjedhje, por kjo nuk do të thotë se është kthyer në një fenomen shqetësues për qarkun e Elbasanit. Mund t’ju them se numri që duket shqetësues ka lidhje me faktin se ne i kemi dhënë rëndësi çdo rasti vjedhjeje, qoftë edhe të një pakete cigaresh. Për të gjitha rastet që ende nuk kanë autor të arrestuar, ka prova që vërtetojnë autorësinë, por çdo hetim kërkon kohë. Fatmirësisht për ne, vjedhësit nuk janë profesionistë dhe lënë gjurmë të cilat duan kohë, por që të çojnë tek ata. Për rastin e grabitjes së një shtëpie në Kajan, ne kemi arritur identifikimin e autorit dhe e kemi shpallur në kërkim. Për faktin se është shëtitës, ai arrin t’i shpëtojë policisë, por jemi në kërkim. Edhe për rastet e tjera janë grumbulluar prova e gjurmë që shumë shpejt do të kenë autorë. Rasti që na ka shqetësuar më shumë ka qenë ai i një nate më parë ku është kërcënuar dhe vjedhur një shtetas. Për fatin tonë të mirë, janë gjetur prova dhe kemi shoqëruar shumë persona për të mbërritur tek autorët e këtij krimi. Jemi duke punuar dhe shumë shpejt do t’ju bëjmë të ditura rezultatet. Për faktin se Elbasani është një qark relativisht i qetë, ne i japim rëndësi çdo ngjarjeje dhe çdo shqetësimi të qytetarëve dhe kemi ndihmën e tyre për të identifikuar autorët e veprave kriminale”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›