Shkodër, plagoset inspektori i policisë pyjore
SHKODËR - Plagoset me mjete të forta një inspektor i policisë pyjore të Shkodrës, ndërsa ndërhyrja e shpejtë e policisë ka neutralizuar konfliktin. Ngjarja ka ndodhur në orën 07:30, në lagjen “Partizani” në qytetin e Shkodrës, tek dera e merkatos së shitjes me shumicë të mallrave të ndryshëm. Efektivi i policisë pyjore të Shkodrës, 52-vjeçari Zef Guri është qëlluar me mjete të forta pas koke, nga 48-vjeçari Gjin Lazri. Ndërsa është rrëzuar në tokë, Guri ka nxjerrë armën me leje me të cilën ishte i pajisur dhe ka qëlluar dy herë në ajër. Kjo ka bërë që agresori të largohet me shpejtësi, ndërsa policia, e cila ka qenë duke kryer patrullimin e zakonshëm vetëm disa metra larg vendit të ngjarjes, ka ndërhyrë menjëherë. I plagosuri i gjakosur është transportuar me mjetin e policisë në spitalin e Shkodrës, ku ka marrë ndihmën mjekësore dhe ndodhet jashtë rezikut për jetën. Ai ka marrë plagë në pjesën e prapme të kokës, në anën e majtë pas veshit. Pas deklarimeve që policia i ka marrë të dëmtuarit, por dhe dëshmitarëve okularë, mësohet se autor i ngjarjes është fqinji i të dëmtuarit, 48-vjeçari Gjin Lazri. Të dy këta shtetas janë fqinjë dhe banojnë në lagjen “Omaraj” të fshatit Vrakë në komunën e Gruemirës në rrethin e Malësisë së Madhe. Por, edhe pse banesat e tyre janë fare pranë njëra-tjetrës, dy familjet janë në konflikt mes tyre prej rreth 2 muajsh. Sipas policisë, e cila i referohet dëshmive të grumbulluara, dy muaj më parë Zef Guri ka goditur djalin e Gjin Lazrit gjatë një konflikti të çastit që është shoqëruar me përleshje fizike. Më pas ka qenë Gjin Lazri ai që ka ruajtur djalin e Zef Gurit për ta goditur në shenjë hakmarrjeje, por pa mundur ta bëjë këtë pasi polici pyjor ka marrë masa për ruajtjen e të birit nga hakmarrja e mundshme e Gjin Lazrit . Madje mësohet se polici pyjor ka bërë përpjekje për shuarjen e konfliktit dhe persona të tjerë kanë ndërhyrë për t’i pajtuar, por ka qenë Gjin Lazri ai që nuk ka pranuar. Në mëngjesin e sotëm ata janë takuar pranë derës së merkatos në lagjen “Partizani”dhe nga prapa Gjin Lazri ka goditur me gur të madh në kokë Zef Gurin. Nxjerrja e armës së shërbimit dhe qëllimi në ajër me të, ka bërë që Gjin Lazri të ndalonte goditjet ndaj Zef Gurit të shtrirë në tokë e të përgjakur, dhe të largohej me shpejtësi. Policia po punon për kapjen e tij, ndërsa ka sekuestruar dhe armën me leje të policit pyjor, i cili ka qëlluar në ajër për vetëmbrojtje. Gjithashtu janë marrë masa që familjet e dy palëve, që jetojnë fare pranë, të mos përfshihen në ndonjë përshkallëzim të mundshëm të konfliktit mes tyre dhe ruhen nga policia.