E Diel, 1 Nëntor 2026

Elbasan, të dënuarit protestë për transferim nga komisariati

14/04/2005  Të dënuarit me vendim të formës së prerë që mbahen në komisariatin e Elbasanit që prej dy ditësh, janë hedhur në protestë. Protesta është duke u zhvilluar në ambientet e komisariatit të këtij qyteti, ku kushtet thuhet se janë tepër të rënduara për shkak të mbipopullimit. Informacioni për fillimin e protestës nga të dënuarit me vendim të formës së prerë jepet nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit. Kapaciteti në komisariatin e Elbasanit është llogaritur për 45 persona. Ndërkohë që, aktualisht, aty ndodhen 80 persona të paraburgosur dhe të dënuar me formë të prerë. Nga 80 persona në këtë komisariat, 16 janë të dënuar me vendim të formës së prerë. KSHH thotë se Drejtoria e Qarkut Elbasan i është drejtuar me dy shkresa Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, me kërkesën për transferimin e të dënuarve me vendim të formës së prerë të gjykatës. Disa herë është ngritur nevoja urgjente që të gjithë të dënuarit me vendim të formës së prerë të transferohen në institucionet e vuajtjes së dënimit, por siç duket megjithë masat e marra, çështja e mësipërme mbetet problematike. Për të gjithë është e qartë se mbajtja në gjendje paraburgimi e të dënuarve me vendim të formës së prerë të gjykatës përbën shkelje të ligjit, që mund të shoqërohet me shqetësime dhe pasoja të dëmshme, thuhet në deklaratën e KSHH-së. Komiteti Shqiptar i Helsinkit, me këtë rast i sugjeron Ministrisë së Drejtësisë që për efekte transparente ta marrë në shqyrtim çështjen e mësipërme, duke përcaktuar afatet përkatëse që do t’i jepnin zgjidhje kësaj gjendjeje.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›