Morati - Inter, Mbaron Dashuria?
14/04/2005 Më keq se kaq nuk mund të shkonte: eleminimi i Interit nga Liga e Kampioneve dhe mbi të gjitha fundi i shëmtuar i ndeshjes së kthimit, me incidentet që e detyruan arbitrin Merk të pezullonte takimin, rrezikojnë të kenë pasoja të rënda për të ardhmen e klubit zikaltër. Në radhë të parë bëhet fjalë për pasoja sportive, sepse ditët e ardhshme UEFA, në bazë të raportit të arbitrit gjerman, do të vendosë si të ndëshkojë lubin zikaltër, me dënime që shkojnë që nga një gjobë e rëndë dhe disa ndeshje skualifikim fushës, deri në përjashtimin nga Kupat e Evropës për një vit. Por në realitet, nata e keqe interiste mund të ketë një peshë akoma më të madhe në nivel drejtimi, sepse Masimo Morati, i cili kishte kërkuar t’i jepte kurajo skuadrës së tij në prag të derbit të kthimit, ka mbetur shumë i zhgënjyer nga ato që ndodhën të mbrëmjen e së martës dhe është larguar nga stadiumi para pezullimit të ndeshjes. Pikërisht kur pronari i klubit zikaltër po braktiste “San Siron”, disa tifozë kërkuan ta sulmonin. Agresioni u ndalua nga forcat e rendit, por është e qartë që ato që ndodhën në stadium, së bashku me ndodhitë jashtë, duhet ta kenë shtuar hidhërimin e numrit një zikaltër. Ditën e djeshme kanë filluar edhe thashethemet në lidhje me të ardhmen e Moratit, sepse duket se pronari zikaltër, pas dorëheqjes nga posti i presidentit një vit më parë për shkak të problemeve me tifozerinë, tashmë po mendon për një lamtumirë përfundimtare nga Interi. I lodhur dhe i zhgënjyer, Morati po pret sa të qetësohet situata dhe të kalojë zhgënjimi i momentit, për të vendosur me kthjelltësi pas disa ditësh. Gjithmonë nëse mund të ketë kthjelltësi pas gjithë atyre që ndodhën. Natyrisht, një largim i mundshëm i Moratit nga klubi dhe mbërritja e një drejtuesi të ri, do të çonte në një ndryshim të plotë të programeve, duke filluar nga trajneri Roberto Mançini, i cili ka qenë një zgjedhje e Moratit. Nëse ky i fundit do të largohet, edhe trajneri zikaltër do të sakrifikohet për hir të ndryshimeve dhe do të zëvendësohej me shumë mundësi nga Çezare Prandeli. Dy objektivat e fundit sezonalë të Interit, vendi i tretë dhe Kupa e Italisë, janë shumë pak për të shpëtuar Mançinin dhe për të harruar turpin e ndeshjes kundër Milanit.