E Hënë, 2 Nëntor 2026

OSBE marrëveshje me Komitetin e pronave për kthim-kompensimin

14/04/2005  Debatet në Komisionin Parlamentar të Bujqësisë kanë sjellë një takim mes Komitetit Shtetëror të Pronave dhe OSBE-së. Këta të fundit mësohet se kanë paraqitur një kërkesë të një deputeti socialist për analizë të metodikës, por që është kundërshtuar nga palët. Megjithatë është rënë dakord që të ketë një bashkëpunim mes OSBE dhe Komitetit për zbatimin e Metodikës. Kryetari i Komitetit Shtetëror të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Sokrat Sinaj, është shprehur se, OSBE-ja nuk ka mandat për të gjykuar punën e këtij komiteti se dhe të vendimeve që dalin dhe kanë dalë nga ky institucion. Pas takimit me përfaqësuesit e OSBE-së, Sinaj ka vlerësuar institucionin ndërkombëtar si një faktor monitorimi. Ndërkohë për të patuar ekspertizën e saj në hartimin dhe zbatimin e Metodikës për përcaktimin e çmimit të pronave, Sinaj shprehet se një përgjigje përfundimtare do të dalë në fillim të javës që vjen. “Aktualisht mendojmë se për kushtet tona është e panevojshme një ekspertizë e huaj, duke patur parasysh seriozitetin dhe punën e madhe që ne kemi bërë në Komitet, në prezencë të të gjitha forcave politike që janë të prezantuara aty, me anë të anëtarëve të komitetit”, tha Sinaj. Palët në takim kanë rënë dakord që të hartojnë një program të përbashkët për asistencën e OSBE-së pranë komitetit, kjo në formën e një memorandumi bashkëpunimi në fusha të ndryshme. Gjithashtu, kreu i Komitetit Shtetëror të kthimit dhe kompensimit të pronave, ka shprehur dhe angazhimin e të dyja palëve për të intensifikuar bashkëpunimin, sidomos në zbatimin e Metodikës në terren dhe realizimin transparent, konkret dhe sa më objektiv të ligjit për kthimin dhe kompensimin e pronës, i cili është shumë delikat në kushtet e Shqipërisë. Përsa i përket respektimit të afateve të zbatimit të ligjit, Sinaj shprehet se çdo gjë është në dorën e institucioneve shqiptare. Aktualisht shqyrtimi dhe miratimi i Metodikës së hartuar nga Komiteti ka disa javë që nuk po futen në axhendën e seancës plenare.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›